Kush po mundohet ta rrëzojë një legjendë si Shkurte Fejza për shkak të një kënge?

Shkurte Fejza përmes këngës “Nuse mësuese’ ka dashur të përcjellë një mesazh edukativ te brezi i ri mbi rolin dhe rëndësinë familjes dhe nuk është e kuptueshme pse gjithë kjo zhurmë rreth një emri aq të madh të kulturës sonë muzikore, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Vetëm ne shqiptarët përpiqemi t`i ‘rrëzojmë’ legjendat tona brenda natës.

Ne kemi lloj-lloj këngësh satirike jo vetëm për nuset, po edhe për djemtë, për pleqtë, për burrat, për politikanët, për kënd jo.

Shkurta ka bërë një këngë me një mesazh edukues, ‘zgjidhi nuse fjalët me mjaltë’ dhe jo një ligj, që ose duhet t`i nënshtrohen nuset, ose mund ta pësojnë keq.

Teksti është i frymëzuar nga tradita jonë dhe mesazhi i tij është thirrje për harmoni familjare, për mirëkuptim, për urtësi, për fjalë të mira e të ëmbla, jo për nënshtrim, jo për diskriminim dhe as për ndëshkim të nuseve.

Shkurta është legjendë, prandaj mos u shtyni për ta rrëzuar atë, sepse nuk mund ta rrëzoni me plumba bosh një kala të kulturës.

Ajo ka kënduar e rezistuar për gati gjysmë shekulli, përfshirë edhe kohët më të liga, kur përmes zërit të saj ka frymëzuar patriotë e masa popullore për rezistencë ndaj okupatorit.

Nuk ka qenë naiv okupatori ynë që e ka ndjekur e dënuar Shkurte Fejzën dhe këngëtarët tjerë, të cilën sot ne duam ta ulim e nënvlerësojmë për një këngë të vetme ‘nuse mësuese’.

Kush më shumë se vetë gratë, se vetë Shkurta në këtë rast, mund t`i adhurojë e vlerësojë vajzat dhe nuset, gratë dhe nënat, duke qenë edhe vetë në të gjitha këto pozicione, e edhe vajza e saj, me të cilën e këndon këngën ‘nuse, mësuese’.

Mos u mundoni të rrëzoni kala e legjenda për asgjë!/Mediafokus.info