Kushtetuesja e hodhi poshtë ankesën e “Listës Serbe” në lidhje me zgjedhjen e qeverisë
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe lidhur me formimin e qeverisë së Kosovës, përkatësisht zgjedhjen e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, që nuk ishte nga komuniteti serb.
Përmes vendimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se zgjedhja e ministrit nga komunitetet tjera joshumicë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Gjykata përfundimisht sqaroi që bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, i detyrueshëm është konsultimi me ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë “komunitetin në fjalë”, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë. Në rrethanat e rastit konkret, kandidati i propozuar për Ministër ishte deputet i Kuvendit dhe për pasojë miratimi formal i tij nuk ishte detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që detyrimi për konsultimin e “komunitetit në fjalë” nuk ishte shteruar. Prandaj, Gjykata konstatoi që, Vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e kushtetueses.

