Kushtetuesja pezullon Ligjin e Pagave deri n’qershor

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të Pagave deri më 30 qershor 2020.

Kjo nënkupton që Ligji i Pagave nuk do të implemetohet deri në këtë datë, rrjedhimisht pagat për sektorin publik nuk do të dalin me rrijen e përcaktuar në Ligjin e Pagave.

Gjykata e konsideroi vazhdimin e masës së përkohshme si të domosdoshëm për dy arsye.

“Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin që Gjykata, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara për pranueshmërinë dhe meritat e saj, të cilat duhet të trajtohen në raport me pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore”.

“Arsyeja e dytë për vazhdimin e masës së përkohshme është volumi jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të Forumit të Komisionit të Venecias. Të gjitha këto materiale, përfshirë praktikën legjislative dhe gjyqësore të dorëzuar nga gjykatat anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, duhet të analizohen ashtu që Gjykata të mund t‘i aplikojë ato në rrethanat e rastit konkret, për aq sa do të jenë të aplikueshme” thuhet në njoftimin e gjykatës./klankosova/