Kushtrimi i atdheut

Ramadan Hasani

Gjatë punës time profesionale në teren më ka rënë të kem angazhime në të gjitha anët e Kosovës.

Shpesh herë më ka rënë të punoj në ekip me kolegun Gjekë Sinishta nga Vuthajt e Malit të zi.

Natyrisht se ushqeheshim nëpër restorante, gjellëtore ose qebaptore.

Për çudi Gjeka gjithmonë së pari e hante mishin, pastaj gjellën.

Një ditë i thashë: Gjekë, shqiptarët mishin e hanë në fund.

Pasi shikoi anash mos ka ndonjë koleg serb aty afër, më tha: Unë jam nga Malësia, n’Gardh t’shkjaut. Neve kështu na mbeti nga lufta me shkja. Tamam uleshim në sofër, binte KUSHTRIMI – NA RA SHKJAU.

Po u vonove 5 minuta, shkjau merrte pikën. Për të mos na mbetur mishi pa e ngrënë, vendosëm ta hamë në fillim!!!

Kurse gjatë punës në teren për të mbledhur të dhëna për Isuf Pidiqin, dëgjoja rrëfime nga më të ndryshmet nga e kaluara jonë e lavdishme.

Kështu një ditë vendosa të takohem me Halil (Lilë) Demiraj. I trokita në derë. Axha Lilë, asokohe afro 80 vjeç, më njihte mirë.

Ishte verë. Bisedën e zhvilluam jashtë. Ndonëse ankohej në memorie (kujtesë) të dëmtuar, megjithatë ishte mjaft i qartë. Fliste ngadalë e rrjedhshëm.

Pasi nuk kishte diçka për protagonistin tim, që nuk e kisha dëgjuar deri atëherë, e pyeta: Axha Lilë a ke ndonjë rrëfim të veçantë nga e kaluara jote, sidomos diçka që ka të bëjë me luftën?

U mendua goxha gjatë. Po, i kam dy rrëfime mjaft interesante.

Më 17 shtator 1944 (datat janë nxjerrë nga të dhënat historike, jo nga rrëfimet e pleqve), ditë Bajrami, isha akoma i vogël. U zgjova herët, mora avdes, u nisa me burra për në xhami të Pidiqve me falë Bajramin.

Te Godiqi, baba më urdhëroi ‘kthehu n’shpi, i vogël je ti me fal Bajramin’!

I mërzitur fillova të qajë. Hipa në maje të Godiqit, herë pas here fshija lotët.

Pas nja një ore, nga lagja e Zekëbashve dëgjova një krismë pushke dhe thirrjen OOOHHHHOOOOHEEEJJJJJ!

Pas një ose dy minutave përsëri pushka ‘BAM’ dhe thirrja: OOOHHHOOOHHEEEJJJ!

Pas një kohe të shkurtër, krisma dhe thirrja erdhi nga Godeni.

Pasoi haberi nga Zekëbashët ‘OOO SHKIJET I KANE RA PRESHEVES MORE HEEEJJJJ’.

Tani nga Godeni, përsëri përgjigjja ‘O PO MORE PO E MORA VESH’.

Bam pushka dhe thirrja tjetër për t`i lajmëruar fshatrat tjera në thellësi: ‘O SHKIJET I KANE RA PRESHEVES MORE HHHEEEEJJJJ!!!’

Kështu, kushtrimi i luftës u shpërnda deri në Kaçanik e Ferizaj.

Sipas shumë dëshmitarëve, kushtrimin e luftës, sidomos në fshatrat e rrafshëta, ku zëri nuk mund të depërtonte më larg se një kilometër e kishin përhapur KASNECËT (lajmëtarët) me kuaj.

Gati në asnjë xhami, Bajrami nuk ishte falur deri në fund.

Faik Bilalli ishte ushtar ‘aktiv n’gardh të shkjaut’ (hekurudha Nish-Shkup-Selanik). Për Bajram kishte tri ditë të lira.

Ai shpesh herë rrëfente: Falja e namazit të Bajramit ishte diku ka gjysma. Befas u hap dera me rrëmbim nga një njeri ‘jabangji’ i cili tha: ‘BURRA, SOT HERET N’SABAH SHKIJET I KANE RA PRESHEVES!’

I hipi kalit dhe vazhdoi misionin e KASNECIT (lajmëtarit).

Hoxha (nuk kam mund me hetua cili ishte) tha: Burra, zoti ju baftë kabull këtë namaz, për hair ju koftë Bajrami. Kush bënë gajret kapni pushkët dhe nisuni për Preshevë.

Nuk pati shtëpi në Pidiq që nuk e dha së pakut një luftëtar.

Aty kah ora 10, kolonat e vullnetarëve të armatosur që i kishin mësy Preshevën, ishin të gjata.

Ata që vinin kodrave në këmbë, këputnin Gryken e Karadakut dhe menjëherë kapeshin maleve drejt Preshevës.

Të shumta ishin edhe qerret me kuaj që vinin Grykës së Karadakut, deri te Reka e Zezë në Dunav, nga aty vazhdonin në këmbë.

Vullnetarët vinin nga Stublla, Gjylekari, Smira, Tërpeza dhe gjitha fshatrat e Ferizajt e Kaçanikut.

Pas tri ditësh, asnjë shka i gjallë nuk mbeti këndej hekurudhe (vijon….)