Kuvendi dështon sërish, KDI “shpall konkurs” për deputetë të ri

Për të 47-ën herë me radhë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Komisioni për votim të fshehtë nuk mori mbështetje nga partitë tjera, pos Vetëvendosjes.

Të pranishëm në sallë ishin 105 deputetë, prej tyre 51 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët janë të obliguar të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit deri më 26 korrik.

Megjithatë, aktgjykimi s’e qartësoi se çfarë do të ndodhë nëse nuk konstituohet Kuvendi.

Derisa Vetëvendosje këmbëngul që emri i Albulena Haxhiut të hidhet në votim për kryeparlamentare përmes votimit të fshehtë, partitë tjera po e konsiderojnë kundërkushtetuese meqë në aktgjykim thuhet se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të bëhet sipas praktikave të deritanishme.

Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse nuk ndodh konstituimi do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, Instituti Demokratik i Kosovës ka “shpallur konkurs” për deputetë të rinj, pas dështimit të radhës.

“Konkurs për deputetë të ri. Apliko sot”, është shkruar në fotografi.

Ky postim vjen pas një sërë dështimesh nga deputetët e zgjedhur për të konstituar kuvendin.