Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së, ja skenari se çka pritet të ndodhë
Pas kërkesave për shkarkimin e tij, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë me datën 30 korrik.
Kërkesa për dorëheqjen e Abdixhikut erdhi pas rezultatit jo të mirë të kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të 7-qershorit, duke u renditur sërish në vendin e tretë.
Rreth 150 delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Në lidhje me Kuvendin e 30 korrikut ka folur për “Gazeta Blic”, zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina.
Pantina tha se ajo që pritet nga ky Kuvend është të hapet rruga për zgjedhje të reja brenda LDK-së ku secili i interesuar të ketë mundësinë të kandidojë.
“Kuvendi i LDK-së është thirrur me një qëllim të qartë: votëbesimin për Kryetarin. Ajo që pritet është që të hapet rruga për zgjedhje të reja brenda LDK-së, ku secili i interesuar do të ketë mundësinë të kandidojë, të paraqesë vizionin e tij për të ardhmen e LDK-së dhe strategjinë se si partia mund të rikthehet fituese” deklaroi shkurt Pantina për “Gazeta Blic”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e konsideroi mbajtjen e Kuvendit si të panevojshëm, të pakohë dhe të pavend.
“E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së. As nuk ka qenë koha; as vendi; edhe më pak mënyra.Por zgjodhën një rrugë tjetër.Dhe demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Une e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njejtë edhe të tjerët pas të enjtës kur LDK flet përsëri.Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndrojë. Sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër. Dhe nga këto bindje, del dhe thirrja ime, për delegatët e Lidhjes. Qëndroni” deklaroi Abdixhiku raporton “Gazeta Blic”.

