Kuvendi i Kosovës është dashur që sot të mblidhej për Shaban Polluzhën
Në ditën e sotme, para 75 vitesh ka rënë heroi Shaban Polluzha. Fadil Guncati thotë se Kuvendi i Kosovës është dashur të mblidhet sot për të përkujtuar këtë përvjetor.
Ky është postimi i plotë i Fadil Guncatit:
Sot, në 75-vjetorin e rënies së Heroit Shaban Polluzha, do të duhej që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mblidhej e të përkujtonte mijëra e mijëra qytetarë, viktima të komunizmit titist në Kosovë.
Dështimi i disa përpjekjeve në Kuvend për t’i dënuar krimet e komunizmit në Kosovë, është edhe njëra nga arsyet e mosbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve tona demokratike!
Pothuajse, shumica e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore e kanë dënuar të shkuarën e tyre komuniste.
Shumë prej këtyre shteteve kanë ndaluar me ligj kthimin në pozita të ndryshme publike për ish-funksionarët e regjimit komunist!
Sa për t’ju kujtuar deputetëve të Kosovës, SHBA-ja, në përkujtim të viktimave komuniste në botë, ka ngritur në zemër të Uashingtonit një memorial në kujtim të tyre!
Deputetë të Kosovës, mos harroni që gjatë kohës që ju jeni duke shëtitur nëpër Gërmi apo në Tokbahçe, mund të shkelni mbi varre masive të shqiptarëve të vrarë pa gjyq nga kriminelët titistë!/Mediafokus

