Kuvendi njofton për vazhdimin e seancës konstituive, këto janë pikat në rend dite

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca konstituive do të vazhdojë nesër, më 9 shtator, me fillim nga ora 11:00.

Sipas rendit të ditës, të dërguar nga Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit, deputetët do të kenë para vetes vetëm dy pika: zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.

Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit tashmë ka tejkaluar afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituim, të llogaritur nga dita e certifikimit të rezultateve.

Për zvarritjen e procesit, partitë opozitare kanë kritikuar vazhdimisht kryesuesin e seancës, Avni Dehari, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje, si subjektin fitues të zgjedhjeve, duke e akuzuar për mosftesë të seancës në kohë.

Në dy raste, deputetët janë mbledhur në Kuvend për të proceduar me konstituimin, por kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për negociatat lidhur me çështjen e presidentit.

Kurti kishte deklaruar se pa një marrëveshje për presidentin, vendi do të përballej në mënyrë të pashmangshme me zgjedhje të reja.

Seancat e mëparshme janë mbajtur edhe pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa tashmë kanë kaluar edhe 30 ditë të tjera pa u përfunduar konstituimi i Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka caktuar 9 shtatorin si datë për vazhdimin e seancës, pas marrëveshjes së arritur mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për çështjen e presidentit.

Megjithatë, kjo marrëveshje është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, ndërsa numrat aktualë në Kuvend nuk mjaftojnë për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para të votimit.