Ky ësht numri i qytetarëve sipas shumës së kursimeve që kanë në Trust

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Në dispozitat e këtij Ligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19, shkruan Telegrafi.

Njëra nga këto ndryshime është ndryshimi i Ligjit të Fondit Pensional (Trusti) që parasheh rimbursimin nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.

Fondi Pensional i Kosovës kohë më parë kishte publikuar të dhënat sesa është vlera që qytetarët i kanë në llogaritë e tyre.

Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontributpagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33 për qind e tyre. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30 për qind e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë.

Deri në 100 euro në llogaritë e tyre në Trust i kanë 105 mijë qytetarë.

Nga numri total i kontribuesve në Trust, 12 për qind e tyre kanë deri 10 mijë euro.

Deri në 20 mijë euro në llogari kanë mbi 40 mijë qytetarë ose 6 për qind, kurse mbi këtë vlerë janë rreth 13 mijë qytetarë apo vetëm 2 për qind e kontribuueseve.

Pra, vetëm 6 për qind e kontribuesëve kanë mbi 10 mijë euro në llogaritë e tyre.

Aktualisht sipas Trustit, numri i përgjithshëm i kontribuesve është 639,264.

Kujtojmë se Ligji është dekretuar nga Zyra e Presidencës. Menjëherë pas kësaj, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëshit.

“Aplikimi për tërheqje të 10% do të bëhet vetëm ONLINE dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në eTrusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes 10% dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.