Ky është 59-vjeçari që dyshohet se ra mbrëmë në bunar dhe humbi jetën
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Bajnicë të Kaçanikut, ku një burrë 59-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë në një bunar që ndodhej në oborrin e shkollës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajti, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se ngjarja është raportuar në orët e mbrëmjes dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse.
Sipas tij, rreth orës 22:30, ekipet e zjarrfikësve dhe vullnetarët kanë arritur ta nxjerrin trupin, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar se ishte pa shenja jete.
“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Rasti është cilësuar vdekje e dyshimtë.”, tha ai.
Klankosova mëson se Sylejman Fazliu është 59-vjeçari që ra në bunar në orët e mbrëmjes të së martës në fshatin Bajnicë të Kaçanikut dhe u nxjerr pa shenja jete.
Kështu kanë bërë të ditur banorët e fshatit, të cilit ishin në vendin e ngjarjes.

