Ky është fermeri që u dhuroi fidane falas 40 familjeve bujqësore

Ibrahim Rahimi, fermeri nga Malisheva e Gjilanit ka bërë një gjest human në këtë kohë pandemie, shkruan Mediafokus.info.

Nga prodhimet e tij të serrave, ai u ka dhuruar fidane të marullës, trangujve, domateve e specave, më shumë se 40 familjeve gjilanase, të cilëve u janë vështirësuar punët gjatë kësaj përballjes me Coronavirusin.

“Afro 40 familjeve u kam dhanë rasad falë se e di që nuk kanë pasë pare me pagu. Plus asaj, të tjerëve jau kemi shitë me ҫmim sa me thanë”, thotë fermeri Ibrahim Rahimi për Mediafokus.info.

Ai thotë se aktualisht i ka për shitje mbi 20 mijë fidane të marullës, por pandemia Covid-19 ia ka vështirësuar hesapet.

“Pandemia na ka damtu sa s’ban ma. Krejt restorantet e Gjilanit i kam furnizuar me marulla gjatë tërë vitit. Po cka me ba. Si krejt populli”, ka thënë ai.

Fermeri nga Malisheva e Gjilanit këtë biznes familjar e ka nisur në vitin 1996, ndërkaq brenda më shumë se dy dekadave, e ka zhvilluar shumë këtë biznes familjar.

Deri sivjet, ai dhe familja e tij ka jetuar mjaft mirë nga prodhimet në serra.

Ndryshe, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës atje, të martën, u ka dhënë shpresë fermerëve që merren me këtë veprimtari, duke thënë se po e shqyrton mundësinë që t’ua kompensojë dëmet./Mediafokus.info/