Ky është i arrestuari i dytë për rastin e 30-vjeçarit që ra nga kati i 10-të i objektit ku punonte

Dita e djeshme nuk doli të jetë e zakonshme si çdo ditë tjetër për të riun R.Rr., i cili u dërgua me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve të rënda që mori pasi ra nga një lartësi e një objekti ku po punonte punë ndërtimore në Fushë Kosovë.

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë, si të dyshuar për këtë rast. Sinjali raportoi mbrëmë me detaje për arrestimin Nazif Xhemës, pronarit të kompanisë “Qlirimi” ku punonte viktima. Kush është i dyshuari tjetër?

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se përveç Xhemës, në ndalim policor ndodhet edhe Rasim Voca, pronar i kompanisë përgjegjëse për skelet e vendosura në objektin ku u lëndua viktima.

Xhema dhe Voca të hetohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

30-vjeçari ka rënë nga kati i dhjetë i objektit banesor ‘Model Slovenia’ që është në ndërtim e sipër dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Kujtojmë se muajve të fundit ka pasur disa raste tragjike të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e lëndimeve në vendet e punës. Ndonëse këto raste janë në rritje, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.