Ky është i arrestuari për shitblerje të drogës, shoku e la në ‘baltë’ dhe iku para syve të Policisë
Mediat raportuan sot për një aksion të Antidrogës, që u zhvillua dje në Vushtrri dhe me arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës dhe sekuestrimin e rreth gjysmë kilogrami marihuanë. I dyshuari është kapur në veturën e tij, në afërsi të një pylli, pasditen e djeshme.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Fatos Zenunin, 27-vjeçar shofer i veturës, ndërsa miku i tij ka shpëtuar nga prangat e Policisë, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Zyrtarët policorë kanë arritur që gjatë kontrollit të gjejnë një kavanoz me substancë të dyshuar narkotike, si dhe disa qese po ashtu me marihuanë. Droga është sekuestruar nga Policia, ndërsa është dhënë urdhër për bastisje në dy lokacione.
Antidroga ka kryer kontroll në një banesë dhe në një shtëpi, ku janë gjetur po ashtu dëshmi, pajisje të ndryshme për përpunimin dhe matjen e substancave të tilla, të cilat po ashtu janë marrë si prova materiale në kuadër të rastit.
Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për ta kapur të dyshuarin tjetër.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

