Ky është i dyshuari që u kap me 3 kg drogë

Aksioni i Policisë Kufitare Perëndimi në Gjakovë që u zhvillua gjatë ditës së djeshme rezultoi me kapjen e një personi të dyshuar dhe sekuestrimin e mbi 3 kilogramë substanca narkotike, të llojit marihuanë. Gazeta Sinjali raportoi për arrestimin e të dyshuarit, Egzon Trezhnjeva, në fshatin Botushë, në brezin kufitar me Shqipërinë.

I dyshuari, i cili lëvizte me automjetin e tij VW Pasat me targa të Shqipërisë, u kap më një çantë me dy qese najloni të mbushura me substancë narkotike dyshohet të jetë e llojit marihuanë, që iu gjetën në bagazhin e automjetit.

Droga është sekuestruar si dëshmi, ndërsa Trezhnjeva është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Po ashtu është sekuestruar edhe vetura dhe telefoni personal i të dyshuarit.

Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

01 3

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.