Ky është njeriu që dha gjithçka për KF Kika
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendim që KF Kika nga Hogoshti i Kamenicës të shpallet kampion i Ligës së Dytë të Futbollit, shkruan Mediafokus.info.
Rrjedhimisht, KF Kika nga ky sezon do të garojë në Ligën e Parë të Futbollit të Kosovës.
Ky klub futbolli, tash e tri dekada, identifikohet me njeriun që bëri shumë në mënyrë që KF Kika të arrij këtu ku është.
Fjala është për Naim Biqkaj, kryetar i këtij klubi, i cili që prej vitit 1992 ka qenë njëri nga donatorët më të mëdhenj, në kohën kur kryetar ka qenë Bajram Vranja.
Në një bisedë për Mediafokus.info, Biqkaj ka thënë se ndihet i lumtur që mundi i tij, por edhe i të tjerëve, po shpaguhet me suksese.
“Që prej vitit 1992 gjatë organizimit të sistemit paralel, nuk i jam ndarë asnjëherë KF Kika. Klubin tim të zemrës e kam mbështetur për të mos u shuar. Jam shumë krenar dhe i lumtur që kemi arritur këtu ku jemi, që të shpallemi kampion i Ligës së Dytë dhe nga sezoni i ardhshëm të garojmë në Ligën e Parë”, ka deklaruar Biqkaj për Mediafokus.info.
Biqkaj, i cili ka qenë në të gjitha pozitat udhëheqëse gjatë periudhe të KF Kika, tha se synimi është që të mbesin në Ligën e Parë dhe të ofrojnë futboll cilësor për fansat e flaktë “Luanët”.
Historiku
KF Kika nga Hogoshti u themelua në vitin 1974 nga një grup aktivistësh hogoshtas.
Fillimisht ka garuar në Ligën e Qarkut të Anamoravës, ndërsa në vitin 1979 u kualifikua në Ligën e Dytë të Kosovës.
Në vitet 1992 dhe 1993 KF Kika zhvilloi ndeshjet në grupin e Ferizajit, ku zuri vendin e parë në tabelë, derisa pas ndeshjes finale me KF “Trepça“ nga Mitrovica humbi për t’u pajtuar me vend të dytë.
Në vitin 1994, KF Kika ishte nënkampion i Kosovës. Suksesi më i madh ka qenë viti i parë i pasluftës, kur Kika ka garuar në elitën e futbollit kosovar, përkatësisht Superligë./Mediafokus.info/

