Ky është plani i Stambollit për korridorin e grurit

Burime diplomatike nën mbrojtjen e anonimatit raportojnë se Turqia është angazhuar prej disa javës në një trafik diplomatik për ngritjen e një mekanizmi për të garantuar mbërritjen e sigurt të rezervave ukrainase të grurit në tregjet globale, raporton tret.net

Si rezultat i negociatave të Turqisë me Rusinë, Ukrainën dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, është hartuar një udhërrëfyes për funksionimin e “korridorit të grurit” nën ombrellën e OKB-së.

Pritet që të gjitha palët të takohen në Stamboll gjatë ditëve në vijim për të diskutuar detajet e udhërrëfyesit.

Në këtë takim katërpalësh do të vlerësohen çështje si kursi, sigurimet/garancitë dhe siguria e anijeve, me në krye pastrimin e rajonit nga minat detare, si dhe oficerët që do të operojnë në qendrën komanduese.

Përmes mekanizmit në fjalë, një qasje pozitive ndaj të cilit kanë shfaqur gjithashtu Ukraina dhe Rusia, zonat përreth porteve në Detin e Zi do të pastrohen nga minat dhe stoku i grurit do të mbërrijë në mënyrë të sigurt në tregjet e huaja.

Është planifikuar që 20 milionë tonë drithë i depozituar në Ukrainë dhe Rusi të dërgohet në tregjet globale nëpërmjet qendrës që planifikohet të themelohet në Stamboll, me ndërmjetësimin e Turqisë mes Rusisë dhe Ukrainës, nën koordinimin e OKB-së.

Një nga pikat e rëndësishme të agjendës së bisedave telefonike që Presidenti Recep Tayyip Erdogan realizoi këtë javë me homologun rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte pikërisht “korridori i grurit”.

Gjatë bisedës së tij me kreun e shtetit turk, Presidenti Putin shprehu gatishmërinë e tij për të lehtësuar dërgesat e papenguara të ngarkesave në koordinim me Turqinë, përfshi këtu edhe dërgesat e grurit nga portet e Ukrainës.

Kurse Presidenti Erdogan, në telefonatën që pati me homologun Zelensky, vuri në pah se i kushton rëndësi të veçantë projektit lidhur me formimin e një korridori të sigurt për eksportin e produkteve bujqësore ukrainase nga deti.

Lideri turk u shpreh parimisht dakord me pjesëmarrjen në qendrën e kontrollit, e cila do të përbëhet nga emisarë të palëve dhe zyrtarë të OKB-së, si dhe me pritjen e kësaj qendre në Stamboll.

Sipas burimeve diplomatike, qëndrime pozitive për bashkëpunimin në “korridorin e grurit” kanë shfaqur gjithashtu Putini dhe Zelensky.