Ky është versioni i Besnik Berishës për vrasjen e Agonis Tetajt nga Shaban Gogaj
Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogaj i cili është akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt, ka thënë se epilogu i këtij rasti do të jetë që e njëjta është kryer nga pakujdesia.
Ai duke folur në emisionin “Frontal”, në T7 ka insistuar se kjo vrasje ka qenë aksidentale.
“Unë vazhdoj me shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së të riut. Ligji do shpreh epilogun e njëjtë që u dëshmua dy ditë më parë. Pamjet po qe se i interpretohen një nga një edhe unë sot këtu jam i paguar me ardh këtu dhe me fol. Për provat ligji e ka paraparë që të lexohen, administrohen dhe interpretohen një nga një”, ka thënë ai.
Më tutje mbrojtësi i Gogajt deklaroi se pala e dëmtuar nuk kanë pasur prova se vrasja e Agonisit ka qenë e qëllimshme nga klienti i tij.
“Ajo çfarë është drejtësi dhe që daton me shekuj nuk gjykon publiku sepse jemi shtet laik. Obligimi i përfaqësuesit të palës së dëmtuar ishte që të ofronin çfarëdo prove për ta cilësuar një vrasje të rëndë apo të rëndomtë. Siç e keni parë Agonisi nuk ka qenë i vetmi se ka kanë shkuar të shtënat sepse ishin tre persona krah për krahë. Pala e dëmtuar e kanë pasur obligim që t’i ofrojnë gjykatës prova dhe motivin e vrasjes. Pas dy vite e gjysmë ky rast ka ngelur”, ka thënë ai.

