‘Shpërthen’ Agim Veliu: Mjerë LDK që ka ra në ‘derexhen’ e Gazit të ORA

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu iu është kundërpërgjigjur akuzave të bashkëpartiakut të tij, Gazmend Muhaxheri.

Ky i fundit e ka quajtur Veliun ‘vetjak’ dhe si person me energji negative.

Nga ana e tij, Veliu thotë se nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e Muhaxherit, kjo pasiqë ai ndryshon si ‘era’.

“Personalisht duke e njohur karakterin e Muhaxherit nuk më bën përshtypje ajo çka thotë sepse ai është i njohur për mosqëndrueshmeri në mendime e qëndrime ai vazhdimisht ka ndryshu si era”, ka thënë Veliu për IndeksOnline.

Veliu thotë se ndjen keqardhje se në çfarë, siç ka thënë ai ‘derexhe’ ka rënë LDK, duke përmendur emrin e Muhaxherit.

“Më vjen keq për partinë time se ciles i kam shërbye për 31 vite në çfarë derexhe ka ra me perfaqesue çifti i Muhaxherit! Nga Gazi, LDK dhe une kemi marre goditje edhe në të kaluaren sa ai ishte me partinë Ora”, ka theksuar ai për IndeksOnline.

Ish- ministri përmend faktin se si dega e LDK-së në Podujevë ka sjellë vetëm fitore gjatë gjithë kohës.

“Agim Veliu dhe dega e Podujevës asnjëherë nuk ka sjell negativitet për LDK-në për kundrazi ka sjellë vetëm fitore dhe ka qene dega me e fuqishme gjate gjithe kohës e edhe në këtë procesin e fundit qe e ka dyfishin e përqindjes së LDK-së. Edhe kur kam hanger plumba e kam dashtë LDK-në dhe do ta dua gjithë jetën edhe pse kjo si duket i paska pengue dikujt!”, tha ai.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Muhaxheri shprehet publikisht kundër Veliut.