Ky është fëmija i cili e kishte provuar burgun në moshën 4-vjeçare

Ramadan Maliqi ka publikuar një foto nga vitet e tij të rinisë. Jo vetëm fotoja, po edhe historia e Ramadan Maliqit nga Malisheva e Gjilanit, është shumë interesante, shkruan Mediafokus.info

‘Une ne klasen e peste, me Ilmiun nga Perlepnica, shkolla fillore Musa Zajmi, Gjilan, viti 1958. Fotoja eshte bere te parku i sotshem’, ka shkruar poshtë fotos baca Dan, siç njihet në Gjilan.

Ramadani, si fëmijë 4-vjeçar, ka qenë në burg bashkë me familjen e tij, e cila ishte e përndjekur nga regjimi i Rankoviqit.

Edhe tani që i ka shkelur të 75-tat (i lindur më 1947) ai ndihet plot elan për jetë.

Ramadani e kujton me trishtim nëntorin e vitit 1949, kur pjesëtarët e OZNA-s thyen dyert me shqelma dhe morën zvarrë gjyshen Nazife, nanën Nafije, kushërirat Hanumshahen dhe Sofijen dhe atë si fëmijë katërvjeçar dhe i dërguan në burgun e Gjilanit.

OZNA po kërkonte babain e tij, Sherif Maliqi, si pjesëtar i Ballistëve, i ngarkuar për disa vrasje të serbëve.

Ai rikujton kohën kur në burgun e OZNA-s e kishin sjellë gruan e Mulla Idriz Gjilanit.

‘Ne familja ishim në burg kur prangosën edhe Nënë Hatixhen dhe e mbyllen në aneksin përballë, që ishte qelia e dytë në të majtë.

Unë me gjyshen Nazife, nënën Nafijen, kushërirat Hanumshahen dhe Sofijen ishim të burgosur dhe të ngujuar në qelinë e parë, në të djathtë, në aneksin përballë, po ditën kur burgoset Nënë Hatixheja.

Duke ia mbyllur derën, Nënë Hatixheja, me zë të lartë u thotë hetuesve: a e dini se kujt po ia mbyllni derën ju.

Nëna Nafije ia bënë me dije se nuk je vet, sepse edhe na jemi këtu, familja e Sherif Malishevës.

Po ti kush je oj grua, e pyet nëna. – Jam gruaja e Hoxhë Velekincës, ia kthen ajo.

Nëna Nafi e ngushëllon dhe e inkurajon duke i thënë se çdo gjë e keqe e ka një selamet. Zoti është i madh e na ndihmon, se sa te jenë gjallë djemtë e nënave, nuk na lënë në dorë të shkaut, i thotë  gjyshja Nazife’./Mediafokus.info