Ky hoxhë iu bashkua Vetëvendosjes, Kurti e vlerëson lart figurën e tij

Hoxha nga Gjilani, Mustafë Bajrami, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Lajmin e ka bërë të ditur lideri i kësaj partie, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar lart figurën e tij.

“Si një lobues për njohjen e Kosovës në shumë shtete të botës dhe si njohës i mirë i Lindjes së Afërt e të Mesme, z. Mustafa Bajrami sjell dije e përvojë të vlefshme për Lëvizjen tonë”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Mustafë Bajrami na u bashkua në VETËVENDOSJE!. Ai ka kryer studimet për Akaid-Filozofi në Universitetin “El-Az’har” në Kajro të Egjiptit, ndërsa në Master dhe Doktoratë ka punuar në Logjikë dhe Filozofi Analitike në Universitetin “Dokuz Eylul” në Izmir të Turqisë. Është njohës i pesë gjuhëve të huaja.

Z. Bajrami në Dubai ka qenë Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë te Instituti “Juma’l-Maxhid”, Drejtor i Departamentit për Kontrollë dhe Verifikim të Botimeve te Ministria e Vakfit si dhe Përfaqësues i Odës Ekonomike të Kosovës atje.

Gjithashtu ai ka drejtuar Projektin e MTI të Qeverisë së Kosovës për Investime të Gjirit Persik, ka qenë përfaqësues i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, pastaj Drejtor i Institutit Kërkimor Shkencor “Victory” si dhe Drejtor i Institutit Kërkimor-Shkencor dhe Kryeredaktor i Revistës “Avicena” në Prishtinë.

Mustafë Bajrami është autor i katër librave në fushën e logjikës, dy librave në filozofinë islame, një në marrëdhënie ndërkombëtare-diplomaci, si dhe përkthyes i 10 veprave nga anglishtja, turqishtja dhe arabishtja. Po ashtu është edhe autor i një morie punimesh në teologji, filozofi, politikë dhe diplomaci si dhe i qindra shkrimeve e opinioneve.

Si një lobues për njohjen e Kosovës në shumë shtete të botës dhe si njohës i mirë i Lindjes së Afërt e të Mesme, z. Mustafa Bajrami sjell dije e përvojë të vlefshme për Lëvizjen tonë.