Ky ishte grupi i intelektualëve të Vitisë që u mor në izolim në vitin 1989
Shteti i Kosovës e ka për obligim t`i nderojë të gjithë ata intelektualë e qytetarë të thjeshtë, të cilët në çfarëdo mënyre dhe rrethane kanë kontribuar për lirinë e vendit të tyre, që përshkon një rrugëtim shekullor, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Para disa ditësh, Mediafokus.info i risolli në kujtesë emrat e grupit të intelektualëve të Gjilanit, të cilët ishim marrë në izolim në vitin 1989.
Jakup Jahiri nga Vitia na i rikujtoi edhe emrat e grupit të Vitisë, të cilët po i publikojmë: Gursel Sylejmani, Fahri Ymeri, Abdyl Bajrami, Nexhmedin Arifi, Përparim Azemi dhe Jakup Jahiri.
‘Mund t`i harrojnë emrat tanë, ne i falim, por nëse e harrojnë kohën, qëllimin dhe mënyrën se si jemi izoluar dhe keqtrajtuar është e pafalshme’, ka thënë Jahiri, ish-gjimnazist i Gjilanit në vitet 1966-1970.
Njësoj, sikur grupi i Gjilanit dhe të tjerët nëpër Kosovë, edhe grupi i Vitisë ishte pjesë e kësaj sakrifice të gjatë e të madhe, të cilët në vitin 1989 ishin marrë dhe mbajtur për disa javë në izolim nga pushteti i atëhershëm, si persona të rrezikshëm.
Është shumë e rëndësishme që të mos harrohet e kaluara dhe asnjë epokë e saj, sepse copëzimi i historisë nuk e paraqet të plotë sakrificën shekullore që ka bërë ky popull, për lirinë e tij të mohuar. /Mediafokus.info/
…………………………….
(Ndalohet rreptësisht kopjimi apo përdorimi i këtij shkrimi apo pjesëve të tij, nga mediat tjera. Prona intelektuale mbrohet sipas ligjeve në fuqi)

