Ky ishte nxënësi shqiptar që lëshoi muzikë shqipe në festën e serbëve

Xheladin Ibrahimi ishte fëmija i parë në fshatrat e Karadakut (Myçibabë, Lipovicë, Burincë), që kishte vendosur të mos e pranonte analfabetizmin, që në këto vise ka ekzistuar deri vonë.

Ai ishte drejtuar në fshatin Pasjan, për të ndjekur shkollën në gjuhën serbe. Zgjidhje tjetër nuk kishte asokohe.

Në këtë mënyrë, Xhela kishte trasuar një rrugë të panjohur deri atëherë për fëmijët tjerë të këtyre fshatrave të largëta të Gjilanit.

Para tij, këtë nuk e kishte bërë askush tjetër. Xhela nuk e kishte problem vetëm rrugën e gjatë që duhej të bënte i vetëm dhe në këmbë, deri në Pasjan, por edhe gjuhën në të cilën zhvillohej mësimi.

Në fillim, serbishten s`e dinte fare. Ishte fillikat vetëm në një mjedis serb, ku nuk njihte asnjë nga shokët e shkollës, shkruan Mediafokus.info.

Për një kohë, Xhela ishte i vetëm, mes të huajve, mes atyre që për shqiptarët gjithmonë kishin një urrejtje, herë të fshehur e herë-herë të hapur.

Më vonë iu bashkëngjit edhe Shaban Zymberi. “Kur u bëmë dy, më dukej sikur në shkollë po shkoja me kalë dhe jo në këmbë”, rrëfente më vonë Xhela.

Pasi kreu me sukses shkollën tetë vjeçare, u regjistrua në Normalen e Gjilanit.

Disa herë u gjend para dilemave që ta ndërpriste shkollimin, sepse nuk kishte kushte.

“Babai vdiq dhe ne ngelëm tre jetimë. Shpeshherë nuk kishim bukë për të ngrënë”.

Fati deshi që ta fitonte një bursë.

Në gjithë këtë histori rrëfimesh, mësuesi Xhelë, derisa ishte gjallë, rikujtonte edhe një ngjarje tjetër, e cila i kishte ndodhur në Pasjan, ku ai kishte lëshuar një këngë shqipe, derisa serbët po kremtonin ditën e shkollës.

Serbët reaguan nga të gjitha anët, duke e sulmuar nxënësin shqiptar. Edhe ky ua ktheu, nuk ndejti duarkryq.

Drejtori i shkollës i kishte urdhëruar serbët ta rrahin atë për shkak se kishte lëshuar muzikë shqipe midis fshatit serb, në ditën e shkollës.

Pastaj, Xhelës i është dashur të shkojë në shkollë me revole.

Pas mbarimit të shkollimit, prej vitit 1970, filloi të punojë si mësues në vendlindjen e tij, ku dha kontribut të madh në shkollimin e të rinjve.

Gjatë jetës së tij në profesionin e mësuesit, është përballur me vështirësi e pengesa të shumta, por i ka përballuar të gjitha. /Mediafokus.info