Ky ishte ‘Sabit profesori i Gjimnazit’

Para dy vitesh, më 13 prill 2020, ndërroi jetë Sabit Jakupi, profesori dhe intelektuali nga Gjilani, i cili para lufte kishte punuar edhe punëtor shoqëror e politik në nivel komunal e qendror.

Jakupi mbahet mend në Gjilan për kontributin që ka dhënë në afirmimin e identitetit, arsimit dhe kulturës shqiptare, shkruan Mediafokus.info.

Sabit Jakupi ishte njëri prej funksionarëve të kohës që kishte kontribuar edhe në themelimin e Radio-Gjilanit, radiostacionit të parë publik rajonal në Kosovë.

Një kohë të gjatë ka punuar në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit, si e vetmja shkollë e mesme e arsimit të lartë që ka funksionuar në Anamoravë.

Në një bashkëbisedim me profesorin Tefik Selimi, ai ishte shprehur i lumtur që ka qenë “Sabiti profesori i Gjimnazit”.

Ja si e kishte rikujtuar Jakupi atë kohë:

‘Mësimi zhvillohej në dy gjuhë: shqip e serbokroatisht. Ndihej mungesë e kuadrit arsimor. Fëmijët shqiptarë mësonin në gjuhën serbokroate. Kjo rrethanë shkaktonte dëshpërim tek ta dhe, shpeshherë pati përplasje mes nxënësve dhe profesorëve serbë, të cilët vinin nga rrethinat e Serbisë.

Ato pak mjete mësimore i referoheshin gjuhës serbokroate. Problem në vete ishte mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Këto dhe gjera të tjera, ne arsimtarëve shqiptarë na obligonin për angazhim shtesë, në mënyrë që nxënësit të fitonin dituri të bollshme për kohën, nga fusha të ndryshme arsimore dhe shkencore, duke organizuar aktivitete plotësuese, sidomos në lëndët mësimore të kulturës dhe historisë kombëtare.

Sukses i veçantë, me të cilin krenoheshim ne arsimtarët e Gjimnazit, ishte zgjerimi i veprimtarisë dhe hapjes së Gjimnazit në Kamenicë, ku u regjistruan dy paralele nxënësish, njëra në gjuhën shqipe, kurse tjetra në atë serbokroate.

Pas disa vitesh, kjo rezultoi me pavarësimin e plotë të Gjimnazit në Kamenicë, që u profilizua si shkollë shumë e suksesshme në atë pjesë të Kosovës’. /Mediafokus.info