Lajm i mrekullueshëm: Vaksinimi kundër gripit stinor mbron shumë mirë edhe nga korona

Studiuesit italianë kanë ekzaminuar lidhjen midis vaksinimeve kundër gripit sezonal dhe shansit për t’u prekur nga korona.

A kanë mbrojtje më të mirë nga korona ata që kanë bërë për vite me radhë vaksinimin kundër gripit në vjeshtë? Ka kohë që janë paraqitur indikacione se vaksinimi në fjalë ka efekt mbrojtës edhe kundër Covid-19. Ndërsa tani këto indikacione mund të vërtetohen me të dhëna të sakta, siç është raportuar nga portali shëndetësor gjerman, përcjellë albinfo.ch.

Të dhënat vijnë nga Italia.  Hulumtimi është i gjerë dhe përfshin 20 rajone italiane, transmeton albinfo.ch. Mjekët atje kanë përdorur bazat publike të të dhënave. Qëllimi i hulumtimit ishte: Të zbulohet se çfarë ndikimi kishte vaksinimi kundër gripit sezonal në infeksionet me Covid-19.

Studiuesit kanë ardhur në këtë përfundim: vaksinimi vjetor i gripit është i dobishëm. Dhe kjo ka ndikim kur kemi të bëjmë me infeksionin e mundshëm të koronës, si dhe me ashpërsinë e sëmundjes. Ata e kanë gjetur këtë efekt veçanërisht tek pacientët e moshuar, të lëndueshëm dhe me sëmundje kronike.

Studimi ka dhe një “efekt anësor”: Studiuesit kanë gjetur një lidhje midis sëmundjes dhe vendbanimit si dhe mobilitetit të njerëzve.

Shkurt: Njerëzit që janë më shumë në lëvizje dhe ata që jetojnë në zona me popullsi të dendur, kanë më shumë gjasa të infektohen me Covid-19.