Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

22 njerëz humbin jetën nga tërmeti në Afganistan

Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Afganistanin ditën e hënë, duke i marrë jetën të paktën 22 njerëzve.
Me qindra shtëpi dhe ndërtesa të tjera u shkatërruan plotësisht si pasojë e tërmetit me fuqi 5.6 të shkallës Rihter.

Nga të dhënat e para, përveç viktimave që nuk ja dolën t’i shpëtojnë lëkundjeve të forta, rreth 700 shtëpi janë shkatërruar si dhe shumë të tjerë janë plagosur. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të jetë edhe më i madh.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Nuk bënte vaksina dhe jepte Green Pass në këmbim të parave: Kapet infermierja në Itali

Autoritetet italiane kanë ndaluar një infermiere e cila hiqej sikur bënte injeksione vaksina, por në fakt paguhej thjesht për të marrë pasaportën e vaksinimit fals.

Hetuesit përdorën një kamera të fshehtë për të regjistruar 58-vjecaren që punon në një qendër vaksinimi në Siçili. Nga pamjet, gruaja shihet që mbush shiringën dhe pastaj e zbraz në një garzë, pasi bën sikur e injekton në krahun e njerëzve.

Të njëjtin veprim ajo e kishte bërë edhe me vaksinën e saj, prandaj u arrestua, e akuzuar për falsifikim dhe përvetësim të jashtligjshëm. Kjo s’është hera e parë që ndodh një dukuri e tillë me vaksinat anti-Covid, për më tepër në Itali ku shumë mjekë dhe infermierë janë ndaluar gjatë muajve të fundit.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Përveç Covid-19, gripi po përhapet me shpejtësi të madhe në Europë

Njerëzit në Europë po përballen me gripin sezonal përveç Covid-19. Pasi u zhduk për pothuajse një vit më parë, rastet e shumta të gripit sezonal kanë ngritur shqetësimet për një pandemi të dyfishtë.

Që nga mesi i dhjetorit, viruset e gripit kanë qarkulluar në Evropë me një ritëm më të lartë nga ai që pritej, të paktën kështu u shpreh qendra evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve.  Në dhjetor, numri i rasteve të gripit në njësitë e kujdesit intensiv në Evropë, u rrit me shpejtësi dhe trendi vijon të mbetet i njëjtë. Sipas ekspertëve, ky mund të jetë fillimi i një sezoni të pazakontë dhe të gjatë të gripit sezonal që mund të zgjasë deri në prag vere.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Në Çeki, punonjësit e infektuar të shëndetësisë mund të qëndrojnë në punë

Qeveria çeke lejon punonjësit e shëndetësisë që kanë rezultuar pozitivë të qëndrojnë në punë. Ky vendim është marrë për të shmangur mungesat e mundshme të stafit, të shkaktuar nga numri i lartë i të infektuarëve me Omicron kohët e fundit.

Ministri i Shëndetësisë atje tha se kjo masë do të zbatohej dhe vlen vetëm për punonjësit në kujdesin shëndetësor dhe shtëpitë e të moshuarëve që nuk kanë simptoma të Covid-19.

Ky vendim zbatohet nën masa të rrepta mbrojtjeje për të parandaluar që punonjësit e infektuar të mos infektojnë njerëz të tjerë.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Burimi: CNN, BBC, ANABEL