“Lamtumirë QKUK”, ikën nga sektori publik edhe drejtori i Anestezionit

Drejtori i anestezionit në QKUK, Nehat Baftiu, nëpërmjet një njoftimi në facebook, ka treguar se ka dhënë dorëheqje nga detyra si Anesteziolog & Reanimator në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv pranë ShSKUK-së.

Baftiu ka shkruar se arsyeja e dorëheqjes është personale, por që në letrën e gjatë të publikuar në Facebook është shprehur i zhgënjyer me gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia kosovare.

Postimi i plotë:

” LAMTUMIRË ” QKUK

Për: Ass.Dr. Pranvera Zejnullahu-Raçi U.d. Drejtoreshë e Përgjithshme e ShSKUK-së Dr. Gazmend Spahija Mr.Sci, Drejtor i KAMI-it.

Nga: Prof.Asoc.Dr. Nehat Baftiu, Anesteziolog & Reanimator

Lënda: Njoftim

Të nderuar,

Më lejoni që përmes kësaj letre të ju njoftojë si më poshtë:

Unë, Prof.Asoc.Dr. Nehat Baftiu, nga data 01.09.2022 ofroj dorëheqje të parevokueshme nga detyra ime si Anesteziolog & Reanimator në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv pranë ShSKUK-së.

Me këtë rast dua t’i falënderojë të gjithë kolegët nga KAMI, emër për emër, Anesteziologët, Specializantët, Infermierët, stafin teknik dhe gjithë të tjerët për bashkëpunimin korrekt dhe të sinqertë gjatë gjithë këtyre viteve.

Falë punës, angazhimit dhe kontributit maksimal të të gjithëve, Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv ka shënuar suksese të matshme dhe meritore ndër vite.

Falënderoj po ashtu të gjithë drejtorët, ish drejtorët, kolegët kirurg si dhe kolegët nga profilet tjera nga të gjitha klinikat dhe Spitalet Regjionale për bashkëpunimin e tyre.

Falënderoj familjen time të dashur, bashkëshorten, vajzat dhe djemtë për mirëkuptimin dhe durimin e tyre që kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe, që nga paslufta e deri më sot.

Falënderoj pacientët dhe familjarët e tyre për besimin, mirëkuptimin dhe durimin që kanë treguar, sikur që i garantoj që me krejt kapacitetet e mia humane, profesionale e menaxheriale kam punuar dhe jam angazhur që qytetarëve të vendit tim të iu ofrojmë kushte dhe mjekim profesional në çdo kohë dhe rrethanë.

Gjatë gjithë atyre viteve si drejtor i KAMI-t, do t’i ruaj të gjitha ato momente e kujtime të mira që kaluam dhe përjetuam së bashku me të gjithë ju të dashur koleg/e, ato do të mbeten të ngulitura thellë në mendjen dhe shpirtin tim.

Padyshim që ato ishin vite të rënda që nga paslufta kur filluam punën ( shtatë anesteziolog ) e deri më sot, pra ato ishin jo vetëm vite pune, angazhimi, ballafaqimi e sakrifice, por ishin edhe vite lavdie e krenarie e mbi të gjitha ishin dhe do mbeten vite reflektimi mbi të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Sot kur shkruaj këtë letër natyrisht i kapluar nga emocionet e thella që përshkojnë mendjen, shpirtin dhe trupin tim, nuk kam si të mos e kujtoj edhe periudhën më të rëndë të jetës sime si drejtor dhe profesionist shëndetësor, periudhën e errët të pandemisë COVID-19.

Falë punës dhe angazhimit Klinika jonë me stafin e saj profesional me anesteziologë, specializantë dhe infermier dhanë kontributin e tyre maksimal në menaxhimin dhe luftimin e kësaj sëmundje vrastare.

Nuk kam si të mos i kujtoj ata kolegë që dhanë edhe jetën e tyre gjatë kësaj kohe, vdekja dhe ikja e tyre e hershme ka qenë tronditja më e madhe dhe më e rëndë për mua si kolegë dhe drejtor.

Të nderuar,

Arsyeja për këtë dorëheqje sa është personale po aq është edhe një moment reflektimi dhe alarmi për të gjitha institucionet qeveritare për gjendjen në të cilën e kanë sjellë shëndetësinë e Kosovës në përgjithësi dhe pozitën e mjekëve në veçanti.

Sot dua të shpreh hapur zhgënjimin tim për gjendjen në të cilën jemi si shëndetësi. Sot kur çdo ditë kemi ikje të mjekëve nga Kosova, kur çdo ditë kemi ikje të mjekëve nga sektori publik, kur ende nuk e kemi ligjin e pagave, kur nuk e kemi fondin për sigurime shëndetësore, kur nuk e kemi sistemin informativ të shëndetësisë – SISh, kur pozita e mjekut dhe stafit të mesëm në përgjithësi e atyre të Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv në veçanti lë shumë për të dëshiruar, kur mungon një sistem i mirëfilltë i punës, kur pacientët tanë shëtisin poshtë e lart nëpër spitale të vendeve tjera për të kërkuar ndihmë, nuk kam si të mos jem i mërzitur, zhgënjyer dhe i pezmatuar deri në palcë për këtë gjendje kaq të rëndë.

Normalisht që për këtë gjendje faji bie mbi të gjitha partitë politike në vend, ato që ishin dje dhe këto qe janë sot në pushtet. Sikur ata dje, edhe këta sot, ende flasin për shëndetësinë në nivel dëshirash. Të gjitha ato premtime për sektorin e shëndetësisë mbeten ende të pa realizuara, ndonëse pritjet kanë qenë dhe janë ende të mëdha. E dhimbshme është kjo gjendje në të cilën jemi katandisur.

Lutem dhe shpresoj që më në fund të ndryshoj çdo gjë për të mirë në shëndetësinë e Kosovës. Veproni sot, nesër bëhet vonë!!!

Për fund, dua edhe njëherë t’i falënderoj të gjithë kolegët e mi që më qëndruan afër gjatë gjithë kësaj kohe, dua t’i falënderoj ata që më këshilluan, sugjerimet dhe kritikat e tyre me ndihmuan gjatë këtij rrugëtimi.

Sot dua t’iu kërkoj falje të gjithë atyre kolegëve që eventualisht gjatë këtyre viteve ju kam hyrë në hak pa dashje, sikur që dua t’i fali të gjithë ata të cilët me dhe pa dashje kanë punuar dhe vepruar kundër meje si drejtor dhe kolegë i tyre. Sot dua të iu them që jeni të falur të gjithë nga unë.

Ishte pothuaj një jetë e tërë e punës dhe angazhimit tim në ngritjen dhe avancimin e Klinikës së Anesteziologjisë, duke mos kursyer asgjë nga vetja ime, e për çka jam më së i lumtur dhe krenar.

Po t’i kisha edhe 100 jetë të tjera do të veproja njejtë.

“Nuk ka asgjë më fisnike dhe nuk të bënë asgjë më krenar se sa puna dhe angazhimi që bënë për vendin dhe popullin tuaj”. Lamtumirë të dashurit e mi, nuk kam për t’iu harruar asnjëherë. Paçi shëndet, suksese dhe mbarsi në jetën e juaj!

Zoti ju bekoftë!

I juaji, Prof.Asoc.Dr. Nehat Baftiu Prishtinë, 05.08.2022