Latifi: 16-vjeçari që uplagos dhe vdiq ishte regjistruar në Mjekësi, kishte ëndrra e plane për të ardhmen
Një 16-vjeçar nga Rahoveci është plagosur të dielën dhe pastaj vdekja e tij është konstatuar nga mjekët.
Viktima është Blenis Burim Gashi nga Fortesa.
Kryetari i Rahovecit, Smjal Latifi, ka treguar se i ndjeri ishte regjistruar në shkollën e mesme të mjekësisë.
“S’ka vdekje të lehtë, mirëpo vdekja e të riut 16-vjeçar, Blenis Burim Gashi nga Fortesa, dhimbjen e bën edhe më fortë dhe më të madhe. Blenisi sapo ishte regjistruar në shkollën e mesme të mjekësisë, me ëndrra e plane për të ardhmen, por, fatkeqësisht, nuk e pati fatin t’i realizonte. Një jetë e re, e ndërprerë shumë herët… Ngushëlloj përzemërsisht familjen Gashi, të afërmit, shokët dhe të gjithë ata që e njohën Blenisin! Blenisi, pushoftë në paqe”, ka shkruar Latifi.
Përndryshe, sot do t’i jepet lamtumira e fundit Blenisit, i cili humbi jetën mbrëmjen e së dielës në rrethana tragjike.
Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë se i mituri ishte gjetur i shtrirë me plagë që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit, në fshatin Bellacerkë të Rahovecit.
Në njoftimin mortor të familjes thuhet se Blenisi ka humbur jetën aksidentalisht dhe në moshë shumë të re.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për Sinjalin se Policia ishte njoftuar rreth orës 20:35 për një të mitur të gjetur të shtrirë dhe me plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.
Njësitë policore dolën në vendin e ngjarjes, ndërsa i mituri u dërgua për trajtim mjekësor.
Megjithatë, mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me rastin.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.

