LDK fton Kuvendin e partisë më 31 janar, Abdixhiku do të kërkojë votëbesim
Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa, nga kjo parti ka thënë se më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së. Në atë mbledhje siç deklaroi Mustafa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të ofrojë dorëheqjen dhe do të lihet i lirë ky organ i partisë që të vendosë.
“Pati një diskutim gati 4 orësh të hapur e demokratik duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme. Duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së. Në këtë Kuvend siç është deklaruar vetë kryetari Lumir Abdixhiku, ai do të ofrojë dorëheqjen për të lënë lirë Kuvendin të vendosë edhe për këtë çështje edhe për çështjet e tjera e diskutimet e tjera që mund të ngriten në atë Kuvend”, ka thënë Mustafa pas mbledhje së kryesisë së LDK-së.
Tutje zëdhënësi i LDK-së, ka thënë se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku do të kërkojë votëbesimin e delegatëve për të vazhduar edhe më tutje ose jo me udhëheqjen e kësaj partie.
“Kjo është formë që e kërkon vetë kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Në këtë Kuvend do të kërkojë votë të votëbesimit. Pra Kuvendi i cili ka 355 delegatë do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra është kërkesë për votëbesim”, ka thënë Mustafa.
Siç deklaroi Mustafa, sipas statutit të partisë, kryetari ka të drejtë të mbledhë Kuvendin dhe të kërkojë votëbesimin e LDK-së, siç ka kërkuar Abdixhiku në këtë rast.

