Legalizimi i ryshfetit në shëndetësi – ‘propozim pa turp’

“Një propozim pa turp” është cilësuar ideja e një grupi të mjekëve për legalizimin e ryshfetit në shëndetësi, që ata e quajnë ‘dhuratë’.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se mjekët dhe infermierët që tronditin opinionin publik duke u shfaqur si gjakpirës duhet të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit.

Kujtojmë që një grup mjekësh protestuan javën e kaluar për arrestimin e kolegëve të tyre në Velipojë, duke kërkuar legjitimimin e bakshisheve që japin pacientët.

Më bëri përshtypje para disa ditësh një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Është vërtet mbresëlënëse për nga niveli i kurajos dhe paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve dhe infermierëve duhet rritur, dhe do ta rrisim, siç e kemi rritur në vitet pararendëse, nuk është një zotim elektoral por i planifikuar të mbahet, që pagat për bluzat e bardha të rriten në 40 për qind. Edhe kjo në vetvete nuk i thotë të gjitha sepse me autonominë spitalore duam të kalojmë në një nivel tjetër të shpërblimit të mjekëve. 

Por që të thuhet ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin, është një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që e gjithë lëvizja anti-korrupsion në të gjithë sistemin tonë, e cila ka filluar të ndihet, të shtrihet shumë më thellë. Nuk mund të këtë në asnjë mënyrë një barazim të të gjithë mjekëve, në perceptimin që të gjithë janë njësoj, dhe të gjithë futin duart në xhepat e familjarëve dhe pacientëve.

Nuk janë njësoj as pemët, as lulet, as kafshët, as njerëzit, tha Rama.