Lenë Osmani i sjellë Gjilanit titullin e kampiones së Kosovës në pingpong
Gjilani ka një kampione në pingpong. Ajo është Lenë Osmani. Ndonëse ende kadete, ajo ka garuar në konkurrencë zyrtare në grupin e juniorëve, ku ka shkëlqyer me paraqitjet e saj atraktive dhe është stolisur me titullin e kampiones, shkruan Mediafokus.info
Këtë sukses, Lena e arriti në kampionatet individuale për kategoritë e reja të mini-kadetëve (U13), kadetëve (U16) dhe Juniorëve (U18), me paraqitje masovike në të tri kategoritë, që u mbajt në Ferizaj, duke dhënë sinjale se në të ardhmen e afërt Kosova do të ketë edhe medalje në arenën ndërkombëtare.
Lena është minikadete, por ka fituar në kategorinë për juniorë, që do të thotë se ajo i ka mposhtur kundërshtarët jo vetëm në kategorinë e saj, por edhe ata të një kategorie më të lartë.
Ajo ndihet krenare që familjes së saj, klubit dhe qytetit të Gjilanit i solli këtë titull dhe realizoi një nga dëshirat e saj, që nuk mbarojnë këtu sa i përket pingpongut, sepse ajo synon arritje të tjera në të ardhmen.
“Që nga debutimi im i parë në gara të pingpongut, ambicia për sukses kulmor – kampione, nuk ka reshtur asnjëherë, ashtu siç nuk kanë reshtur përgatitjet teknike e fizike për nivele sa më të larta në paraqitjet e mia”, thotë Lena.
Ajo është e vetëdijshme që vjen nga një familje sportistësh kulmor, prandaj të gjitha i merr me shumë seriozitet.
“Jam lind dhe po rritem në familje sportistësh, ku unë dhe fëmijët tjerë trashëguan sportin e pingpongut. Motivimi që kam marr në familje pothuajse çdo ditë, çdo moment sportiv, bëri që titulli Kampione e Kosovës të jetë ambicie imja, tashmë e arritur, thotë Lena.
Lenë Osmani ka filluar të merret me pingpong që nga mosha 7-vjeçare. Në çdo garë, ku ka marrë pjesë, ka arritur të sigurojë medalje, qoftë e dyta, ose e treta në nivel republikan.
Kësisoj, në kampionatin individual për minikadete, më 17.10 2020, Lena zuri vendin e dytë, ndërsa më 18.10.2020, në kampionatin individual për juniore, zuri vendin e parë.
Aktualisht, Lenë Osmani është nxënëse e klasës së 9-të në shkollën “Thimi Mitko” në Gjilan dhe njëherësh edhe në shkollën e Muzikës, në drejtimin për violinë./Mediafokus.info/