Liberta Spahiu vulos lidhjen serioze me Flor Mumajesin
Moderatorja e njohur e “Prive”, Liberta Spahiu, festoi pak ditë më parë ditëlindjen e 35-të në krah të muzikantit të njohur e shumë të suksesshëm, Flori Mumajesi.
Në ditën e saj të veçantë të jetës, ajo mori shumë urime dhe dhurata nga miqtë, kolegët dhe të afërmit, të cilët i mblodhi në një festë përrallore.
Liberta festoi kështu në Prishtinë me rrethin e miqve më të ngushtë, në një mbrëmje ku nuk e kurseu një “kërcim dashurie” me Florin, për të cilin këto vitet e fundit përflitet se është duke jetuar një lidhje dashurie që nisi në fshehtësi, arriti me një unazë nga Flori, u pasua me një ndarje dhe po vuloset me këtë festë ditëlindjeje.
Me pamjen e kuruar deri në detaje, me një fustan të shkurtër në ngjyrë rozë të ëmbël dhe me një model të veçantë flokësh, në albumin e fotove me njerëzit më të dashur, Liberta postoi në “Instagram” dy foto ku shihej shumë pranë Florit.
Për sa i përket festës, i gjithë vendi ishte rregulluar me zbukurime festive, ku nuk mungonin lulet, torta dhe qirinjtë, ndërsa të ftuarit kishin të gjithë maska me fytyrën e Libertës.
Ditëlindja e moderatores ishte rasti i dytë pas programit festiv të fundvitit, kur Flori u shfaq pranë saj.
Ndërkohë, vëmendja e lidhjes së tij me Libertën u rikthye kur ai publikoi një këngë me Arilena Arën, së cilës i drejtohej me vargjet “Një si ti unë doja, doja ta kem n’jetë…”.
Këngëtari dhe kantautori i njohur pas këngës “Thjesht të du”, për të cilën Liberta Spahiu tha publikisht se po priste këtë këngë që të martohej, rindezi dhe një herë lidhjen e tyre të mbetur pezull.
Kujtojmë që gjatë një koncerti para dy vitesh në Prishtinë, Flori në mes të koncertit i bëri dedikimin special Libertës: “Jam me fat që të kam pranë”, duke e bërë moderatoren të emocionohej në prani të miqve.
E pyetur se kush është Flori në jetën e saj, Liberta u përgjigj: “Eshtë një gjeni për atë që bën”.
Ndërsa pyetjes tjetër nëse mund të jetë ajo një nuse në Tiranë, iu përgjigj: “Po, pse jo”.
Ata u përfolën për lidhjen dy vjet më parë, që kur Liberta u fotografua pranë Florit dhe djemve “Threedots”.
Pas kësaj marrëdhënieje, Flori u zhvendos në Prishtinë për të mos pasur lidhje në distancë.
Më pas u fol për një ndarje, e cila u tejkalua duke u shfaqur të ribashkuar.
Liberta, e njohur për karakterin e vajzës së fortë dhe me personalitet të veçantë, ia ndryshoi jetën Florit duke e tërhequr pas vetes, aq sa e bëri të linte Tiranën. /Panoramaplus.al/

