Lideri i ri i LDK-së do të zgjidhet me 14 mars – A do të jetë ky Lutfi Haziri?
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 14 mars pritet ta mbajë Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie, raporton Mediafokus.info.
Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së sotme të kryesisë, ku u tha se kjo është data më e përafërt për zgjedhjen e strukturave të reja.
Derisa ende në formë zyrtare nuk është deponuar asnjë kandidaturë për kryetar të LDK-së, sekretari i përgjithshëm Arban Abrashi para gazetarëve tha se kanë diskutuar vetëm për aspektet teknike të organizimit të Kuvendit Zgjedhor.
Deri tani ambiciet për kreun e kësaj partie i ka shprehur Lutfi Haziri, derisa sic mëson Mediafokus.info nga burimet e saj, kryetari i Gjilanit po e gëzon edhe mbështetjen ndërkombëtare për postin e të parit të LDK-së.
Një dritë jeshile për këtë duket se erdhi nga Britaia e Madhe.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, është parë tek zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasditen e së enjtes.
Abbott përmes një postimi në Facebook, njoftoi se në LDK, ka takuar kryetarin në dorëheqje, Isa Mustafën dhe nënkryetarin në dorëheqje të LDK-së, Lutfi Hazirin.
Ai tha se kanë diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve dhe perspektivat e LDK-së.
“Këtë pasdite takova Isa Mustafën dhe Lutfi Hazirin. Diskutuam rezultatet e zgjedhjeve dhe perspektivat e ardhshme të LDK-së”, shkroi shkurt Abbott./Mediafokus.info/

