Lirie Aliu: Me gazetarë të mirë e me një gazetari të mirëfilltë, arrihen majat e demokracisë

Në prani të një numri të madh pjesëmarrësish, është promovuar në Viti libri “Etika në media sociale, rasti i Kosovës”, i autores Dr.Sc. Lirie Aliu.

Shkrimtari Sabit Rrustemi, duke folur për librin e Aliut, tha se një hulumtim në këtë fushë ka qenë domosdoshmëri, meqë shpërfaq anët negative e pozitive të mediave sociale, shkruan pozherani.press.

‘Prandaj, ky libër, lirisht mund të themi se i adresohet atyre që e bëjnë gazetarinë në mediat sociale, e që shpeshherë në informatatat e tyre ka mungesë të argumenteve për ngjarjen që i ofrojnë opinionit’ ka nënvizuar Rrustemi.

Kryetari i komunës Sokol Haliti ka përgëzuar autoren e librit për hulumtimin që ka bërë rreth punës së mediave sociale, duke nënvizuar se ajo ka qenë kontribuuese në shoqëri edhe në etapat e mëhershme, si aktiviste e kulturës, si zyrtare komunale, si punëtore arsimore.

Me këtë rast, kryetari i Konunës ka nderuar me mirënjohje autoren e librit për gjithë kontributin e dhënë deri më tani.

Për librin ka folur edhe prof.dr. Sahadete Tërrnava, e cila theksoi se autorja sjellë në dukje mungesën e debatit cilësor në shumicën e mediave, prek lajmet e rreme të cilat edhe ndikojnë negativisht në shëndetin publik, etj.

Për librin kanë folur edhe prof.dr. Mustafë Kadrijaj e prof. dr Sadik Haxhiu.

Ndërsa në fund, autorja dr.sc Lirie Aliu, ka thënë se gjithë puna e saj nuk ka pasur për qëllim vetëm kontributin shkencor, por edhe atë të vetëdijesimit të opinionit publik, kundrejt veprimtarisë së medias, në këtë rast të asaj sociale.

Ajo më tej përmendi se në bazë të hulumtimit të bërë, ka hasur në faktin se kodi etik i gazetarisë zbatohet minimalisht dhe ky është një shqetësim që atakon gjitha kategoritë e shoqërisë në Kosovë.

“Me gazetarë të mirë e me një gazetari të mirëfilltë, arrihen majat e demokracisë”, është shprehur ndër të tjerash autorja e librit Lirie Aliu.