Lisi i Hoxhë Lipovicës, simbol i rrezistencës së gjithanshme për lirinë e atdheut

Kosova Lindore, si pjesë e historisë së tërësishme shqiptare, ka kaluar periudha tejet të vështira, në veçanti pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, pasi nuk solli së rezultat përfundimtar bashkimin kombëtar.

Dy të tretat e Shqipërisë etnike iu falën shteteve fqinje nga Fuqitë e Mëdha, shkruan portali Mediafokus.info.

Në radhën e personaliteteve të shquara të përpjekjeve për çlirim e bashkim kombëtar të kësaj hapësire, ishte Mulla Jusufi nga fshati Lipovicë i Gjilanit, i cili njihej si Hoxhë Lipovica.

Në hapësirë gjeografike ku ka luftuar Hoxhë Lipovica, sot ka edhe toponime të ndryshme që lidhen me emrin e tij, siç është ky lis shumëdegësh që simbolizon rezistencën e shumanshme kundër pushtuesve të trojeve etnike.

Këtë monument të natyrës e ka fiksuar Xhevat Ibrahimi, i cili ka shkruar:

“Lisi i Hoxhe Lipovices, ende stoik dhe krahapur, sikur ruan amanetin e tij që një ditë banorët do të kthehen në themelet e të parëve! Ky lis më ngjallë kujtimet e fëmijërisë sime, si nipi me liritë e pa kufizuara që i gëzon vetëm te dajallarët”, ka shkruar Ibrahimi.

Personalitetet si Hoxhë Lipovica, i cili me përkushtim të lartë luftoi për lirinë dhe fatin e kombit, pa u ligështuar asnjëherë për fatin personal dhe të familjes, kanë merita të veçanta.

Sipas historianit Aliriza Selmani, jeta e Hoxhë Lipovicës paraqet modelin më të lartë të përpjekjeve në luftën për atdhe të lirë e të bashkuar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hoxhë Lipovica ishte në rrethin e ngushtë të krerëve të Anamoravës në organizimin e forcave vullnetare për mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore dhe njëherësh edhe në krye të aksioneve në luftë kundër depërtimit të forcave partizane serbe e bullgare në këtë zonë. /Mediafokus/