Lista Guxo ndahet nga VV në garën për komunën e Ferizajt

Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit dhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, dega në Ferizaj, do t’i ndajnë rrugët në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen në vend.

Burime të mirëinformuara i kanë thënë Periskopit se lista ‘Guxo’ më mbledhjen e shtabit në Ferizaj që është mbajtur ditën e djeshme (e hënë, 5 korrik), kanë votuar unanimisht që kjo listë të garojë e vetme në zgjedhjet lokale.

“Ata tashmë kanë nisur procedurat për regjistrimin e tyre si listë e pavarur. Për hapat e tjerë, shumë shpejtë pritet të dalin me njoftime publike”, i ka thënë burimi Periskopit.

Më herët, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit do të regjistrohet si parti në vete dhe nuk do të shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor.