Lotët janë të kotë, kush vdes nuk ringjallet
Kur të vdes, mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër mure. Vdekja është punë e atij që vdes dhe e shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? Nuk e dua këtë.
Para varrimit mos lajmëroni askënd, përveç pesë a gjashtë njerëzve më të afërt, vetëm sa për formalitetet dhe për varrimin. Kaq. Nuk kam dëshirë t’i rëndoj askujt. Secili ka hallet e veta.
Dikur kam dashur të prehem në Pogradec, pranë babait e nënës, ose lart te gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndërruar mendjen. Varrimi është gjithnjë një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Shqipëria është një e tëra.
Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si ai i babait, i gjyshit dhe i stërgjyshit.
Fëmijët i porosis ta duan vendin dhe gjuhën tonë deri në vuajtje. Të mos u kthehet zemra kundër Shqipërisë, as kur të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, edhe kur të vret.
Këtu kanë lindur; këtu të jetojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.
Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të kryejnë studime në ndonjë degë praktike – fizikë, mjekësi, arsimtarí a ndonjë tjetër – dhe le të merren edhe me letërsi, por jo si profesion kryesor.
Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë, është për momentin një rrugë e mbushur me vuajtje; buka e saj është e hidhur. E hidhur për ata që nuk dinë marifete e hipokrizi.
Letërsia është një terren ku gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, po u bëre hije. E nëse nuk u bën hije, do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.
Dorëshkrimet ua lë atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Askush të mos i prekë. Ai do të rritet, do t’i lexojë shënimet e parealizuara dhe do t’i përpunojë. Por për këtë duhet më parë të grumbullojë kulturë. Talenti dhe prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos i prekë dorëshkrimet para se të rritet djali. I vini në arkë dhe i mbyllni.
Polikseni dhe Atalanta, Pandeli dhe Doruntina: duajeni njëri-tjetrin, ndihmojeni dhe duroni njëri-tjetrin. Mos u grindni për vogëlsira. Hidhni tutje inatin, se ai është burim i shumë të këqijave.
Mos e lini mendjemadhësinë t’ju rritet. Inati dhe kryelartësia na kanë bërë dëme të mëdha. Zemra juaj të mos njohë urrejtje, grindje e mërí. Urtësi, butësi, zemërgjerësi.
Hapni sytë në çdo hap që hidhni në jetë. Një hap i gabuar mjafton për ta prishur gjithçka; pastaj vijnë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni duke dëgjuar zërin e zemrës, por edhe të arsyes. Zemra, pa arsye, shpesh të çon në udhë të gabuar.
Mos i kërkoni jetës më shumë seç mund t’ju japë. Jeta është koprace në mirësi. Mos ëndërroni gjëra që s’mund të realizohen. Mos u matni me hijen e mëngjesit, që sjell mendjemadhësi.
Nderojeni dhe duajeni mamanë. Ajo ka qenë trime në jetë dhe ka vuajtur shumë. Të dy kemi vuajtur. Embëlsojani pleqërinë pas gjithë këtyre tufaneve. Përvoja që ka fituar nga jeta e hidhur mund t’ju vlejë që të mos vuani si ne.
Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për shumë vite ndihmë dhe drejtim. Mos ia kurseni këtë ndihmë, që unë të prehem i qetë në dhe.
Mos më qani. Qëndroni të fortë. Unë e jetova jetën time, e mbylla rrethin. Nuk dua t’ju shohin të tjerët duke qarë. Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ringjallet. As nuk dua të ringjallem, as ta nis jetën nga e para. Mjaft. Mos e shkelni këtë porosi.
Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit. Mbahu fort dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita, pa ndryshuar asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Shumica vijnë për formë, për sehir. Varrimet me bujë dhe kallaballëk i kam urryer gjithmonë.
Mos lajmëro as njerëzit e tu këtu apo në Korçë, përveç Foqit dhe Nestit.
Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti, Dhimitraqi (Mitrush Kuteli)

