Luani i Stançiqit bëhet problem ndërkombëtar, reagon edhe parlamentarja evropiane

Për fatin e luanit, i cili po mbahet i ngujuar në një resort në Stançiq të Gjilanit ka reaguar edhe Parlamenti Evropian. Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj e ka njoftuar raportuesen për Kosovën në PE, Viola von Cramon, se Ministria ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm procedural e ligjor për lirimin dhe transferimin e luanit “Gjoni”.

“Shpreh keqardhjen që një problem kaq i lehtë ka kërkuar kaq shumë kohë për t’i gjetur zgjidhje, kjo edhe për shkak të pengesave që ka shteti i Kosovës në raport me konventat e caktuara. Njëkohësisht shpreh mirënjohjen time për Fondacionin “Four Paës” që ka shprehur gatishmërinë që të merr përsipër organizimin e transportit të luanit “Gjoni”, nga Kosova në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë”, ka thënë Nitaj, në një komunikatë për media, në lidhje me këtë problem.

Shkresa e plotë e Ministrit Nitaj:

E mirepres interesimin e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, lidhur me fatin e luanit “Gjoni”, që tash e një kohë mbahet në kushte joadekuate në Gjilan.

E njoftoje opinion publik dhe znj. Von Craemon që Ministria që drejtoj i ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshem proceduralë e ligjorë për lirimin dhe transferimin e tij në një vend ku luani “Gjoni”, do të trajtohej në përputhje me normat e kërkuara.

Tashme kemi një vendim të Gjykatës për sekuestrimin dhetransferimin e tij në një vend tjetër, por fatkeqësisht Kosova nuk është nënshkruese e Konventës CITES për qarkullim ndërkufitar të llojeve të kafshëve, andaj ne kemi kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë që të mundësojnë transferimin e luanit “Gjoni”, përmes Shtetit Shqiptar, prej nga dhe është kontrabanduar në Kosovë i njëjti.

Jam në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin shqiptar, Klosi, dhe me Ambasadën e  Republikës së Shqipërisë në Prishtinë dhe jemi në pritje të përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Shteti Shqiptar që kjo çështje të mbyllet.

Shpreh keqardhjen që një problem kaq i lehtë ka kërkuar kaq shumë kohë për t’i gjetur zgjidhje, kjo edhe për shkak të pengesave që ka shteti i Kosovës në raport me konventat e caktuara.

Njëkohësisht shpreh mirënjohjen time për Fondacionin “Four Paës” që ka shprehur gatishmërinë që të merr përsipër organizimin e transportit të luanit “Gjoni”, nga Kosova në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë.

Sinqerisht,

Muharrem Nitaj,

Ministër i Ekonomisë dhe Ambienti