Lufta politike po “vret” bizneset

Vonesa e miratimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID -19, po vështirëson aktivitetin e bizneseve private, thotë Shpejtim Kuqi, drejtor i kompanisë “Solid”, sipas të cilit, bizneset po punojnë me humbje.

Ky projektligj, pas gjashtë dështimeve, do të paraqitet të hënën, më 12 shtator, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për t’u votuar në lexim të parë.

Bizneset private, disa herë kanë shprehur shqetësimin se janë grumbulluar problemet e shkaktuara nga kriza e pandemisë me koronavirus, duke vënë në rrezik mbijetesën e tyre.

Një nga bizneset që pret ndihmë nga qeveria pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, është kompania për prodhimin e këpucëve “Solid” në Suharekë. Kjo kompani, përveç tregut vendor, gjendet edhe në tregjet e Francës, Gjermanisë, Greqisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, por edhe në Afrikë.

Drejtori ekzekutiv në këtë fabrikë, Shpejtim Kuqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet shtetërore nuk po i kushtojnë vëmendje sektorit privat, konkretisht industrisë prodhuese.

Ai tregon se aktualisht në kompani punojnë rreth 300 punëtorë, kurse shitja dhe eksporti ka rënë deri në 30 për qind. Kjo rënie, ka ndikuar në të hyrat financiar, rrjedhimisht ka vështirësi për prodhim.

“Numrin e punëtorëve jemi duke e mbajtur të njëjtë, jemi duke e mbajtur me forcat tona, jo që kemi punë për të gjithë, po mundohemi që mos të largojmë punëtorë nga punë. Thjesht, jemi duke nxjerrë para nga xhepi dhe po fusim në biznes, luftë jemi duke bërë që mos të mos zvogëlojmë numrin e punëtorëve dhe të mbajmë gjallë industrinë. Duke shpresuar gjithmonë se shteti i kthen sytë nga sektori privat”, thekson Kuqi.