Lushtaku: Prej 13 vitesh po përsekutohem nga drejtësia e EULEX-it
Ka nisur gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve, nën dyshimin e veprës penale – frikësim i dëshmitarëve.
Prokurorja e rastit ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë, për veprat penale: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës zyrtare”, nga qershori i 2013-tës deri në shtator të 2015-s, duke i detyruar dy dëshmitarë që t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”.
Akuzat në rastin “Drenica” lidhen me keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës. Për të tashmë janë dënuar disa persona.
Të akuzuarit, në seancat e mëhershme janë deklaruar të pafajshëm.
I akuzuari Sami Lushtaku, në fjalën përfundimtare para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se prej 13 vitesh po përballet me procese gjyqësore nga drejtësia e EULEX-it, duke insistuar se është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova dhe argumente, raporton Ekonomia Online.
Lushtaku ka thënë se më herët ishte dënuar për krime lufte me 12 vjet burgim, ndërsa kishte mbajtur katër vjet burg dhe më pas ishte shpallur i pafajshëm.
“Unë që 13 vite përsekutohem nga drejtësia e EULEX-it pa argumente dhe pa fakte. Gjykimi im ka ndodhur për krime lufte, që kam marrë një dënim prej 12 vjetësh dhe kam mbajtur 4 vjet burg dhe jam shpallur i pafajshëm. E di që kjo aktakuzë ju ka mvesh kësaj gjykate si dëshmi e hekurt nga EULEX-i, që ka pasur qëllim, se këtu nuk ka bazë juridike që unë të akuzohem për diçka që nuk kam pasur lidhje”, tha ai.
Lushtaku ka deklaruar se asnjëherë nuk ka kërkuar mëshirë, por vetëm drejtësi.
“Unë asnjëherë nuk kam kërkuar mëshirë, kam kërkuar gjithmonë vetëm drejtësi, edhe këtë rast kërkoj vetëm drejtësi”, tha ai./EO

