Lutfi Haziri apelon te qytetarët për kujdes maksimal, COVID-19 nuk është larguar ende

Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë, ka vlerësuar sot gjendjen e përgjithshme të përballjes me Covid-19 dhe procesin e vaksinimit kundër virusit.

Kryetari Lutfi Haziri ka kërkuar respektimin e rekomandimeve të IKSHPK, sepse virusi nuk është larhuar ende. Në bazë të vlerësimeve të fundit, 668 qytetarë janë aktualisht pozitiv me COVID.

“Pas vlerësimeve të fundit që kemi bërë sot, del se në gjendje më të rëndë janë 80 qytetarë të shtruar në Spitalin Regjional, por kronika e zezë është vështirësia më e madhe që kemi në këtë rrugë të vështirë, ku nga jeta ndahen qytetarët tanë dhe numri i tyre, deri më tani është 131. Edhe Komiteti i Emergjencave në Gjilan ka humbur një anëtar të vetin, Ymer Demollin, i cili ishte i angazhuar 24 orë për të parandaluar Covid-in, por fatkeqësisht nuk është më në mesin tonë”, ka thënë Haziri, në konferencën për media.

Ai ka apeluar që qytetarët e Gjilanit që të kenë një kujdes dhe t`i respktojnë masat – distancën, higjienën, pasi virusi nuk është larguar ende.

“Vaksinimi nuk nënkupton që familja apo personi shpëton nga infeksioni, por duhet vazhdimisht të jemi të kujdesshëm karshi respektimit të masave të reja të cilat janë më të liruara dhe shpresojmë që kujdesi edhe më tutje të jetë në nivelin më të lartë”, ka shtuar Haziri.

Mesazhe për kujdes nga COVID-19 ka dhënë edhe dr. Arbenita Hajdari, drejtoreshë e QKMF’së, dr. Ajhane Sefiu, drejtoreshë e QRSHP dhe dr. Ukshin Ismajli, drejtor i Spitalit Regjional, derisa kanë konfirmuar se angazhimi i stafit mjeksor është në nivelin më të lartë të mundshëm.

Në këtë konferencë u konfirmua se deri më tani 836 vaksina janë dhënë për stafin mjekësor dhe të moshuarit mbi 80 vjet.

Ndryshe, shprehur në shifra, gjendja në Gjilan është kjo: 19534 mostra, 6068 kanë rezultuar pozitivë, 5279 janë shëruar, 131 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 668 raste janë aktive, 79 të spitalizuar dhe 52 mostra në pritje për rezultat.