Lutfi Haziri është mik i luginasve

Lutfi Haziri është gardiani i vetëm i Rezolutës për Luginë të vitit 2013, lideri i parë kosovar që ka vizituar Luginën në cilësi të kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe ka kontribuar më së shumti nga të gjithë politikanët në Kosovë e Shqipëri për sensibilizimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për gjendjen e luginasve.

Shkruan: Alfred Halili

Edhe në politikë ka diçka që quhet ‘moral politik’, të cilën gjenerata e re patjetër duhet ta ketë pjesë të karakterit e personalitetit si lider të rinj.

Nuk është e ndershme në politikë të sulmosh dikë pa fakte e argumente, të përdorësh miq e media, të sulmosh vetëm pse të jepet mundësia, ose e krijon atë në forma të ndryshme.

Ata të cilët mundohen të rrinë në qendër të vëmendjes duke krijuar kauza të rrejshme e duke provokuar e nxitur tema boshe, janë duke u munduar të shpikin frymë përçarëse luginas – gilangji, vetëm për të lëvizur politikisht edhe pse në rreth vicioz, nuk i përfaqësojnë as luginasit e as vendasit.

Në Gjilan nuk ka i ‘huaj’ apo ‘vendas’. Të gjithë qytetarët ndjehen e jetojnë të barabartë. Komuna e shtrinë dorën (aq sa mundet, keq ose mirë), pa dallime. Madje, më duket qesharake kur dikush bënë diferencime të tilla.

Çka është absurde nuk mund të duket e as pranohet si normale. Nuk mund të jetë, për shembull, Lutfi Haziri, herë mbrojtës e dashamir i luginasve, e herë denigrues e kundërshtar i tyre.

Pavarësisht se mund të mos pajtohemi me politikat e nivelit lokal dhe qendror të Lutfi Hazirit, është absurde të thuash se ai është kundër luginasve. Ose të thuash se ‘njerëzit rreth tij janë antiluginas’.

Lutfi Haziri është gardiani i vetëm i Rezolutës për Luginë të vitit 2013, lideri i parë kosovar që ka vizituar Luginën në cilësi të kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe ka kontribuar më së shumti nga të gjithë politikanët në Kosovë e Shqipëri, për sensibilizimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për gjendjen e luginasve.

I vetmi që ka respektuar rezolutën për Luginën dhe ka hapur një zyrë për Luginën në Komunën e Gjilanit, zyrë e cila është menaxhuar nga vetë luginasit deri para disa muajsh.

Pse nuk ka arritur ta zgjidh problemin me shtetësi, është absurde t’i ankohesh kryetarit të Komunës, sepse ky problem është i nivelit qendror dhe tashmë janë krijuar lehtësimet, edhe pse jo siç është pritur.

E për hallet e problemet me të cilat ballafaqohen luginasit në Gjilan, e kanë këshilltarin komunal, përmes të cilit mund t’i ngrisin temat në Kuvendin Komunal.

Ka hapësirë për përmirësim tek çdo njeri e çdo politikan, por secili prej tyre është i njohur me kauza e tema të ndryshme.

Luta njihet si mik i luginasve dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë. Dhe për këtë meriton mirënjohje, e jo ofendim.

Nuk është e drejtë të kritikosh paushall, pa argumente e pa logjikë të shëndoshë. Thjesht, të jemi të arsyeshëm e racional.

(Autori është anëtar i kryesisë së partisë Nisma Socialdemokrate në Gjilan)