Lutfi Haziri: Ku mbetën obligimet e Republikës ndaj të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore?
Në prag të 7-vjetorit të miratimit të Rezolutës lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në Kuvendin e Kosovës, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, që ishte edhe sponzorizuesi i kësaj Rezolute, ka thënë se që nga ajo kohë është bërë shumë pak nga intitucionet kosovare në këtë drejtim.
Në bisedë për Mediafokus.info, Haziri ka thënë vetëm dy nga pikat e asaj Rezolute është realizuar – hapja e zyrës në Gjilan dhe refundimi i taksës.
“Unë jam krenar që ajo Rezolutë do ta bartë emrin tim si deputet dhe emrat e kolegëve të mi që e kanë nënshkruar këtë Rezolutë. Por, është lajm i keq që vetëm dy nga pikat e asaj Rezolute është implementuar. Prandaj, pyetja ime është se ku mbetën obligimet e Republikës së Kosovës ndaj të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info.
Haziri ka kërkuar nga Qeveria që ta zbatojnë në plotni këtë Rezolutë, sic është hapja e zyrës edhe Fushë Kosovë dhe lehtësimi i pajisjes së shtetësisë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Rezoluta e Kuvendit ishte një nga vendimet e vetme që Kosova ka marrë në raport me Luginën e Preshevës. Ndër të tjera, Rezoluta fton edhe Këshillin e Evropës të hetojë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Po ashtu, Rezoluta kërkon që Qeveria e Kosovës të kujdeset për të zhvendosurit nga Lugina e Preshevës, të mundësohet shkollimi dhe mirëqenia për ta, si dhe të hapen zyra në Prishtinë e Gjilan që do të punon për këtë qëllim.
Njëherësh, është kërkuar që Qeveria të heq taksën e pagesës për qytetarët nga Lugina të cilët duhet të paguajnë nga 20 euro në javë për kalimin e kufirit nga Serbia për në Kosovë.
Ndryshe, Rezoluta për të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e cila njihet si Rezoluta e Lufi Hazirit, është miratuar në Kuvendin e Kosovës 6 qershor 2013, me 74 vota për dhe 4 kundër. /Mediafokus.info/

