Lutfi Haziri vazhdoi ciklin e debateve me strukturat e fshatrave Zhegër, Lladovë, Haxhaj, Nasalë e Demiraj

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka vazhduar me ciklin e takimeve “LDK ju dëgjon” me struktura në Zhegër, Lladovë, Haxhaj, Nasalë, Demiraj.

Në këto takime bashkëbisedimi ka marrë pjesë edhe kryetari i Degës, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri.

“Deri në fund të vitit, ne do jemi në gjithë territorin e komunës së Gjilanit për t’i dëgjuar qytetarët tanë dhe hallet e kërkesat e tyre”, – tha kryetari Haziri.

Gjilani ka mbetur pa qeverisje. Sot me komunën tonë po administrohet. Projektet e Karadakut kanë stagnuar. Nuk ka investime në bazë të premtimeve që janë dhënë. LDK në opozitë do të jetë gardiane e interesave dhe kërkesave të qytetarëve tanë.

Këshilltarët komunalë të kësaj ane, Muhadin Haziri dhe Imran Haziri siguruan strukturat se zëri i tyre do ngritet fuqishëm për hallet e tyre dhe investimet e nevojshme tek kjo anë.

Kryetari i LDK-së në Gjilan, ka njoftuar strukturat se procesi i regjistrimit të brendshëm të LDK-së po shkon mjaftë mirë, duke bërë thirrje që të vazhdojnë të regjistrohen të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e familjes tonë politike.

Kryetari Haziri ka falënderuar banorët e këtyre fshatrave për përkrahjen e vazhdueshme ndaj politikave të LDK-së, çdoherë.

Interesimi i strukturave të këtyre fshatrave  për të marrë pjesë në debat ka qenë i jashtëzakonshëm. Zhvillimet politike në Komunë, gjithashtu edhe në qeverisje qendrore, veprimet e Degës pas Konventës, struktura e Komisioneve profesionale të Degës, opozitarzmi i LDK-së dhe rikthimi i LDK-së nëpërmjet mobilizimit dhe regjistrimit të anëtarësisë, ishin disa nga çështjet për të cilat u diskutua e debatua sot.

Në këto takime kanë marrë pjesë dhe u kanë dhënë përgjigje të interesuarve këshilltari komunal dhe njëkohësisht kryetari i Nëndegës dhe Këshillit të fshatit Zhegër, Muhadin Haziri dhe këshilltari komunal Imran Haziri së bashku me shefin e Grupit të Këshilltarëve në Kuvendit Komunal, Avdyl Aliu, Florim Ajeti – Lladovë, Ruzhdi Selimi – Nasalë, Bardhyl Demiri – Demiraj dhe Ramadan Elezi – Shurdhan, thuhet në njoftimin nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK në Gjilan.