Lutfi Haziri: Veç galjet janë tepër, problemi me VV do të zgjidhet

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij po sillet me përgjegjësi karshi partnerit me të cilin pritet të arrihet koalicioni, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Populli e votoi opozitën më 6 tetor për të qeverisur  Kosovën. LDK po sillet me përgjgësi karshi partnerit, duke dashur me ndërtu partneritet. Ne jemi këtu e 30 vjet si lëvizje politike e shqiptarëve në Kosovë dhe regjion, me ndikim përtej elementit shqiptar. Ne po mundohemi që pjesën tonë të përgjegjësisë ta zbatojmë”, ka thënë Haziri, raporton Mediafokus.info.

Haziri theksoi se problemi i koalicionit me LVV do të zgjidhet, pasi, siç tha ai, kanë mbetur të dakordohen vetëm edhe për 2-3 pasuesa të marrëveshjes voluminoze.

“Me LVV’në ka mosarritje të marrëveshjes finale, por duhet ta dini që dokumenti që jemi dakorduar i ka 25 faqe. Na kanë mbetur për t’u dakorduar vetëm edhe për dy tre pasuese. Nuk ka probleme të papërballueshme. Qysh e thotë populli, problemet zgjidhen, veç gajlet janë tepër”, ka thënë Haziri, pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm.

Haziri ka thënë se beson që marrëveshja me VV’në do të arrihet para seancës konstituive të 26 dhjetorit.

Ndryshe, Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka kërkuar unanimisht që pjesë e marrëveshjes me VV’në të jenë të gjitha postet shtetërore./MediaFokus/