Majlinda Sylejmani nga Zvicra rikujton vizitën e shkollës ku punoi gjyshi i saj në Breznicë të Bujanocit

Kjo foto është bërë para 3 viteve, por Majlinda Sylejmani nuk e heq mendjen asnjëherë nga shkolla e gjyshit të saj në vendlindje.

Sa herë e shikon këto foto, shumë emocione zgjohen brenda saj, kujtime, mall dhe një ndjenjë e thellë lidhjeje me rrënjët.

“Ka vende që nuk i viziton vetëm me trup… por me gjithë shpirtin. Breznica mbetet një nga ato vende për mua”, ka shkruar Majlinda.

Ah, babgjysh…

Nuk pata fatin me të njoh. S’të përqafova kurrë, s’të dëgjova asnjëherë teksa më thërrisje “bijë”, por ja që gjaku yt rreh në zemrën time – dhe më udhëhoqi, në heshtje, drejt vendit ku e nise rrugëtimin tënd: shkolla e Breznicës.

Thash me vete – po nis nga aty. Aty ku gjyshi im ishte korill i shkollës, ku me dinjitet e përkushtim shërbeu për vite me radhë.

Kur u afrova, trupi m’u drodh, fryma m’u ndërpre… shikova dritaret, hyrjen, dhe mendova – sa nxënës kaluan këtu? A sa orë i qëndrove kësaj shkolle, babgjysh? Sytë m’u mbushën me lot, dhe u ula aty ku ndoshta edhe ti ke ndenjur dikur. Në atë qetësi, gjejta paqen.

Pastrova pak oborrin. I dhashë jetë vendit që më dha kujtime – edhe pse të ndërlikuara, të mbuluara me mungesën tënde.

U përpoqa të të imagjinoj – ishe ulur në shkallët e hyrjes? A më shikon tani? A je krenar për mua? A ta kam zbardhë fytyrën, babgjysh?

Ti që me shumë mund shkollove babanë tim, dhe ai me përkushtim më shkolloi mua. Brez pas brezi – rrënjët tona janë të ngulitura thellë në këtë dhe.

Eca rrugëve të katundit me një shishe në dorë – por me mallin që më rëndonte më shumë se çdo gjë tjetër. Shikova pemët, aromën e lisave, shtëpitë që më ngjanin si rrëfenja të pathëna.

Më në fund mrrina në oborrin tonë. Dallëndyshet fluturonin mbi çatinë, por shtëpia ishte bosh… vetëm shpirtrat ishin aty – ju, të dashurit e mi, që s’jeni më mes nesh, por jetoni në çdo kujtim timin.

Aty, zemra m’u ngrohu, sepse ndjeva që ishe edhe ti, babgjysh, me mua.

Në shitore më njohën – “A je ti ajo Majlinda, vajza e Musah Sulejmanit?”

Ajo ndjenjë s’mund të përshkruhet…

Babai im është njeriu më i çmuar në jetën time – një pasqyrim i vlerave që ti, babgjysh, mbolle me përkushtim.

E piva një ujë të ftohtë… dhe shikova Breznicën nga lart.

E kuptova – rrënjët s’mund t’i presësh, zemra gjithmonë e njeh vendlindjen.

Mulliri, ku ti ke kaluar kohë, u bë simbol i jetës sate… dhe tek varret, kur gjeta emrat tuaj, ndjeva sikur ecëm dorë për dore nëpër Breznicë.

Fizikisht nuk ishit me mua – por shpirtërisht, më shoqëruat çdo hap.

Do t’i jepja të gjitha – vetëm për një takim të vërtetë me ty, babgjysh. Por kam besim… që me veprat e mia, të kam nderuar. Dhe shpresoj që Zoti ta bëjë xhenetin shtëpinë tënde të përjetshme, për ty dhe gjyshen.

Lamtumirë babgjysh. Por jo në zemrën time – aty do jesh përjetësisht.