Makina bie në liqe, humb jetën pasagjeri, shpëton shoferi

Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme në hyrje të urës së Drinit të Zi në Kukës ku një automjet ka rënë nga lartësia në liqen.

Për pasojë ka humbur jetën pasagjeri S.D., ndërsa ka shpëtuar djali i tij i cili ndodhej në timon.

Djali është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia njofton se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 11:00, në hyrje të urës së Drinit të Zi, Kukës, shtetasi A. D., banues në fshatin Mamëz, i cili udhëtonte së bashku me babain shtetasin S. D, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit dhe ka rënë në liqen, ku për pasojë pasagjeri në këtë automjet, shtetasi S. D. ka humbur jetën.

Nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të pasagjerit, shtetasit S. D., 60 vjeç, banues në fshatin Mamëz, ndërsa drejtuesi i mjetit shtetasi A. D., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.