Maliqi: Ky është burgu ku në një qeli ishim ne, në tjetrën e sollën nënë Hatixhenë
Shkrimi i portalit medifokus.info “Gruaja që nuk u thye as kur e mbyllën në burg me burra”, që i kushtohet Hatixhe Rexhepit, e ka rikthyer mbrapa Ramadan Maliqin, i cili thotë se e mban mend shumë mirë kohën dhe qelinë ku e mbyllën gruan e Mulla Idriz Gjilanit.
Ramadani e kujton me trishtim nëntorin e vitit 1949, kur pjesëtarët e OZNA-s thyen dyert me shqelma dhe morën zvarrë gjyshen Nazife, nanën Nafije, kushërirat Hanumshahen dhe Sofijen dhe atë si fëmijë katërvjeçar dhe i dërguan në burgun e Gjilanit.
OZNA po kërkonte babain e tij, Sherif Maliqi, si pjesëtar i Ballistëve, i ngarkuar për disa vrasje të serbëve.
Ai ka sjellë edhe foto nga burgu i atëhershëm, duke nënvizuar qelinë ku ishte i ngujuar ai me familjarë dhe në tjetrën, ku e ngujuan nënë Hatixhenë, shkruan portali mediafokus.info
Ja se çka shkruan Maliqi në lidhje me këtë ngjarje:
Burgu ogurzi i Gjilanit, ku u torturuam dhe maltretuam.
Ne familja ishim ne burg kur prangosën edhe Nënë Hatixhen dhe e mbyllen në aneksin përballë, që ishte qelia e dytë në të majtë.
Unë me gjyshen Nazife, nënën Nafijen, kushërirat Hanumshahen dhe Sofijen ishim të burgosur dhe të ngujuar në qelinë e parë, në të djathtë, në aneksin përballë, po ditën kur burgoset Nënë Hatixheja.
Duke ia mbyllur derën, Nënë Hatixheja, me zë të lartë u thotë hetuesve: a e dini se kujt po ia mbyllni derën ju.
Nëna Nafije ia bënë me dije se nuk je vet, sepse edhe na jemi këtu, familja e Sherif Malishevës.
Po ti kush je oj grua, e pyet nëna. – Jam gruaja e Hoxhë Velekincës, ia kthen ajo.
Nëna Nafi e ngushëllon dhe e inkurajon duke i thënë se çdo gjë e keqe e ka një selamet. Zoti është i madh e na ndihmon, se sa te jenë gjallë djemtë e nënave, nuk na lënë në dorë të shkaut, i thotë gjyshja Nazife.
Hatixhe Rexhepi nuk u thye dhe nuk u dorëzua as kur e mbyllën në një dhomë burgu me burra, as kur ia dogjën të gjallë burrin dhe as atëherë kur e kërcënuan se do t`ia vrisnin fëmijët.
Kjo grua, bashkëshorte dhe nënë, përjetoi dhe përballoi tortura shumë të egra në burgjet komuniste të ish-Jugosllavisë.
Fjeti ulur për disa ditë e net, kur e mbyllën në një dhomë burgu me burra./Mediafokus