Malli dhe mërzia janë barra më e rëndë për njeriun
Faruk Jelmen është njëri ndër 35 milionë banorët e Turqisë, që kanë origjinë nga vendet e Ballkanit, një numër i madh prej tyre nga Kosova, Maqedonia dhe trevat tjera të ish-Jugosllavisë, shkruan Mediafokus.info.
Faruku ishte shpërngulur nga Gjilani në moshën 21-vjeçe, për t`iu bashkuar motrës së tij të vetme, e cila ishte e martuar në Shkup.
Në Gjilan, Faruku kishte mbiemrin Mustafa dhe i përkiste familjes së madhe dhe të njohur për kohën, Novobërdali.
Ai ka dëshirë ta rrëfejë jetën e tij, që nga Gjilani, ku i ka i kaluar vitet e rinisë e, deri në Stamboll, ku tashmë ka kapërcyer gjysmë shekulli jetë.
Rrëfimet e tij shoqërohen nga lotët që i rrëshqasin faqeve, teksa kujton momente nga jeta në vendlindje, aty ku për herë të parë ishte kthyer për një vizitë pas 20 vitesh.
Në rrugëtimin jetësor të Faruk Mustafës (Jelmen), i cili edhe në Gjilan i përkiste komunitetit turk, ka një detaj interesant.
Ai ka lindur në vitin 1936. Në fund të vitit 1956 është shpërngulur në Turqi. Për herë të parë është kthyer për vizitë në Kosovë, në vitin 1996. Në vitin 2016, ai ka ardhur në vizitën e dytë në Kosovë.
Numri 6 del në të gjitha datat më të rëndësishme të jetës së tij.
Në kohën sa ka jetuar në Gjilan, ai ka punuar shkurt si mësues në shkollën turke, ku asokohe drejtor ishte Jashar Jashari, i cili po ashtu ka vdekur.
Edhe pse në Gjilan nuk e ka më familjen, ai ka këtu miq të shumtë turq e shqiptarë, po edhe në Prishtinë, Preshevë e Shkup.
Ndihet mirë dhe i falënderon që nuk e kanë harruar.
Shumë mirë e flet edhe gjuhën shqipe. Nostalgji të veçantë ka për këngët shqipe, aq sa nuk i mban lotët kur i kujtohen vargjet e disave prej tyre.
Faruku nuk kishte ardhur në Gjilan për njëzet vjet, jo pse nuk kishte dëshirë, por e dinte se kur të kthehej mbrapa, duhet të merrte me vete një mal mërzish për vendlindjen dhe njerëzit e saj.
“Malli dhe mërzia janë pesha më e rëndë për njeriun”, thotë ai.
Familja Mustafa ia kishte shitur shtëpinë e saj një serbi në Gjilan. Faruku ka dëgjuar nga fqinjët, më vonë, se serbi e kishte gjetur në shtëpinë e tyre një qyp me lira.
Beson se kanë qenë të babait të tij, i cili kishte vdekur dy muaj para se të hynte partizani në Gjilan (1944).
“Unë nuk kam ditur për qypin me lira, ndërsa babai, me siguri ka harruar të më tregonte para se të vdiste”.
Familja Mustafa ishte mjaft e pasur, pronare e shumë tokave dhe nuk ka dyshime që lirat ishin të babait të tij. /Mediafokus.info

