Mantelbardhët kosovarë nisin protestat

Punëtorët Shëndetësorë në Kosovë kanë nisur sot protestat para qeverisë, me kërkesën për procesdimin e projektligjit për paga, duke paralajmëruar veprime të tjera sindikale nëse zëri i tyre nuk dëgjohet.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka thënë se qeveria po punon në mënyrë të fshehtë.

‘Nëse deri në fund të këtij viti nuk procedohet Ligji për Paga, atëherë kjo protestë do të kthehet në reagime më të ashpra sindikale”, ka thënë ai.

Syla ka thënë se Ligji i Pagave do të sillte barazi sociale, mirëpo ai është shprehur se nga qeveria nuk kanë ftuar përfaqësuesit e sindikatës e ata të shoqërisë civile për të diskutuar për të.

“Ata nuk donë të bisedojnë me qytetarët e vet. Kërkesa jon e vetme është Ligji i Pagave. Një ligj i cili kishte me vendos barazinë sociale me të cilin slogan ka ardh edhe qeveria aktuale. Por kjo nuk po ndodh. Qeveria në mënyrë të fshehtë po punon, pa ftuar përfaqësuesit jo vetëm të sindikatave por edhe të shoqërisë civile”, ka shtuar ai.