Autoritetet qeveritare janë në shqyrtim e sipër të mundësisë që të bëhet shteti i parë në rajon dhe më gjerë i cili do ta mbajë përllogaritjen verore të kohës, shkruan trtballkan.

Disa ditë para se të fillojë llogaritja dimërore e kohës ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar nga autoritet e Maqedonisë së Veriut.

Shqyrtimi i këtij opsioni ndërlidhet me qëllimin e kursimit të energjisë elektrike.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë prezantimi të kësaj ideje tha se do të analizohen të gjitha përvojat rreth vazhdimit të përllogaritjes verore të kohës.

Debati nëse është i nevojshëm ndryshimi i orës dy herë brenda vitit ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe mbrojtësit e shfuqizimit të tij besojnë se nuk ka prova konkrete të kursimit të energjisë.

Kjo veçanërisht vlen për përdorimin e kompjuterëve dhe pajisjeve elektronike që nuk varen nëse është ditë ose natë jashtë.

Turqia në vitin 2016 braktisi llogaritjen dimërore

Në botë numërohen dhjetëra shtete të cilët nuk i ndryshojnë akrepat e orës. Prej vitit 2016 një vendim të tillë e praktikon edhe Türkiye.

Analizat e tyre (të Türkiyes) flasin se deri në dhjetor të vitit 2021 kanë kursyer rreth 6.82 miliardë kilovat në orë (në energji elektrike) që nga fillimi i praktikës dhe kjo është e barabartë me 431.9 milionë dollarë.

Por, ndryshimi i akrepave të orës gjithashtu ndërlidhet edhe me efektet shëndetësore.

Hulumtuesit e gjumit vite më parë njoftuan se ndryshimi orës, gjegjësisht kalimi nga përllogaritja verore në atë dimrore ndikoi që adoleshentët të flenë dy orë e gjysmë më pak.